Mbytja e të riut në Vjosë, babai: Ministri Tahiri të na ndihmojë të gjejmë trupin. Reagon policia: Dërguam polumbarët
FIER- Të afërmit e adoleshentit Dritan Shametaj që u mbyt dje në lumin Vjosë në Fier po vijojnë edhe sot kërkimet për gjetjen e trupit. Kërkimet u ndërprenë dje për shkak të errësirës, ndërsa sot në mëngjes herët kanë rinisur kontrollin përgjatë shtratit të lumit Vjosë. Por në ndihmë të tyre nuk kanë shkuar polumbarë apo forcat e policisë, çka nuk ka sjellë asnjë rezultat nga kërkimet. Për këtë arsye familjarët i bënë apel organeve kompetente të ndërhyjnë.

Babai i 17-vjeçarit, Bashkim Shametaj i ka bërë thirrje ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri për ndihmë. Ai i ka kërkuar të dërgojë polumbarët për të gjetur trupin, pasi lumi Vjosa është i thellë.

“Prej 24 orësh presim polumbarët. I bëj thirrje ministrit Tahiri të dërgojnë polumbarët për gjetjen e trupit. Lumi është i thellë, jemi duke kërkuar me not”, ka thënë babai i viktimës. Ndërkohë pas apeleve të vazhdueshme nga familjarët ka ardhur edhe reagimi i policisë rreth mesditës, e cila ka premtuar se polumbarët dhe forcat RENEA i janë drejtuar tashmë vendi ku u mbyt adoleshenti për të kërkuar trupin e tij në Vjosë.

Edhe xhaxhai i 17-vjeçarit në një lidhje telefonike me News24 tha se më shpejt ka mbërritur ai nga Greqia se sa strukturat e policisë. Ai ka rrëfyer se nënës së viktimës i ka rënë të fikët dhe është sjellë në vete nga familjarët pasi nuk ka pasur as shërbim mjekësor.

“Erdha më shpejt unë nga Greqia, kurse shteti jo. I ra të fikët nënës, ne me alkool mezi e sollëm në vete 30 minuta. Infermieri kishte mbyllur telefonin. Mos t’ia lënë natyrës ta nxjerrë fëmijë. Shpresojmë që shteti të ndërhyjë”, deklaroi xhaxhai i viktimës.

Edhe dje daja i 17-vjeçarit bëri apel për ndihmë, duke kërkuar ndërhyrjen e polumbarëve, për të cilët u shpreh i gatshëm ti paguanin edhe privatisht. Sot disa të rinj të fshatit Buzëmadh dhe familjarët po kërkojnë me not në lumin Vjosë, çka mund të jetë e rrezikshme.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: