Pedagogia dhe ekspertja e komunikimit Jonila Godole ka reaguar sot në lidhje me debatin për restaurimin e mozaikut të Muzeut Kombëtar. Godole deklaron se BE ka financuar falsifikimin e historisë dhe jo ruajtjen e trashëgimisë kulturore.
Sipas saj, mozaiku duhej hequr nga fasada qysh në fillim të 1990-ës duke mos i bërë asnjë ndërhyrje veprës origjinale, dhe duhej futur brenda në muze për të dëshmuar si iu shpëla truri këtij populli për 45 vjet.
Për Godolen, restaurimi i tij ka lidhje me një qasje patronazhimi të qeverisë socialiste ndaj çdo objekti dhe godine që përfaqëson denjësisht periudhën komuniste.
Ajo thekson se me 1 milion Euro që BE ka shpenzuar për restaurimin e tij, mund të qenë ngritur muzetë në Spaç e Tepelenë.
POSTIMI I PLOTË
Në lidhje me Mozaikun në Muzeun Kombëtar mund të them vetëm kaq: EU ka financuar falsifikimin e historisë dhe jo ruajtjen e trashëgimisë kulturore.
Mozaiku duhej hequr nga fasada qysh në fillim të 1990-ës duke mos i bërë asnjë ndërhyrje veprës origjinale, dhe duhej futur brenda në muze për të dëshmuar si iu shpëla truri këtij populli për 45 vjet.
Restaurimi i tij më shumë se sa i atribuohet dëmeve nga tërmeti, besoj se ka lidhje me një qasje patronazhimi të qeverisë socialiste ndaj çdo objekti dhe godine që përfaqëson denjësisht periudhën komuniste.
A duhej restauruar mozaiku, sepse ai i shërbeka brezit të ri që të njohë historinë e popullit, siç thonë disa? Me 1 milion Euro që BE ka shpenzuar për restaurimin e tij, mund të qenë ngritur muzetë në Spaç e Tepelenë. Brezi i ri mund të merrte në këto muze ato mesazhe që nuk ia jap ky mozaik. Edhe këto vende janë simbole të trashëgimisë sonë të dhimbshme historike, pavarësisht se nuk i japin dritë fasadës moderne, me të cilën kërkon të mbulojë qeveria të shkuarën e palavdishme të partisë së vet.
Nuk di të ketë pasur ndonjë debat mes ekspertëve dhe përfaqësuesve të BE përpara se të miratonin fondin për restaurimin e mozaikut. Por do kishte qenë me vend. Dëshira e mirë për të ndihmuar, nuk mjafton.