Nga: DARINA TANUSHI
TIRANE – Deputeti i larguar nga Partia Socialiste, Ben Blushi pritet të shpallë partinë e tij të re më 10 nëntor. Pjesë e lëvizjes më të re politike është bërë tashmë edhe deputetja Mimoza Hafizi, e cila dje deklaroi largimin përfundimtar nga PS-ja. Blushi e Hafizi mblodhën dje intelektualë, studentë e qytetarë të Tiranës në një nga sallat e Muzeut Kombëtar, për të diskutuar për modalitetet e krijimit të lëvizjes së re.

Blushi ka dashur ta mbajë larg vëmendjes së medias këtë takim, por burimet mediatike bënë me dije se kjo do të jetë një parti e qendrës dhe që do të flasë për të ardhmen. Kjo mësohet se është theksuar disa herë gjatë fjalës së tij, edhe nga vetë Blushi, i cili duket se do të kryesojë këtë lëvizje. Ende nuk ka një emër për partinë e re të Blushit e Hafizit, por duket se ata kanë të qarta idetë se si do jenë forumet e saj. Emri pritet të zgjidhet pas konsultimeve publike. Statuti i partisë së Blushit do të quhet “Libri i Rregullave”. Ndërsa kryesia do të quhet “Bërthama” dhe do të përbëhet nga 21 anëtarë, të cilët do të zgjidhen pas zgjedhjeve nëpër rrethe, citon “opinion.al”.

Funksionimi i partisë së Blushit do të jetë në bazë të organizimit kapilar, nga baza ose anëtarësia që do të quhet “Forum”, deri te kryetari. Një nga risitë është se kryetarët nëpër rrethe nuk do të kenë më shumë se dy mandate. Një nga emrat e parë që i janë bashkuar partisë së Blushit do të jetë tenori i mirënjohur Agim Hushi, i cili së fundmi hodhi kandidaturën për drejtues të Teatrit të Operës dhe Baletit. Pas takimit, që zgjati për disa orë, deputetja Mimoza Hafizi u shpreh për median: “Projektet politike janë pjesë e aktualitetit politik. Ne kishim një takim me aktivistë të shoqërisë civile, me qytetarë të Tiranës në lidhje me çështjet e aktualitetit politik”. E pyetur se kur do të shpallet partia e re, ajo tha: “Nëse do të shpallim një parti politike, do t’ju lajmërojmë. U bë një kohë e gjatë që ne jemi në kontakt me njerëzit, të cilët kërkojnë që ne të bëjmë një lëvizje politike, dhe ideja është se si do të ishte një lëvizje politike, një organizim i ndryshëm nga ai çfarë mund të ofrojnë partitë e tjera politike.

Të gjitha këto ishin objekt diskutimi mes miqsh”. Në lidhje me shkëputjen e saj nga PS-ja, Hafizi u shpreh: “Formalisht ende jam në PS, por ju e dini që s’marr pjesë në mbledhjet e saj. Praktikisht s’jam më pjesë. Ishte një takim si deputete e parlamentit shqiptar”, – tha Hafizi pas takimit të djeshëm. Ben Blushi deklaroi hapur, përmes një letre drejtuar socialistëve, largimin nga partia ku aderoi për 20 vjet. Deputeti kritik kishte kohë që nuk po merrte më pjesë as në mbledhjet e grupit parlamentar, madje në zgjedhjet e fundit të strukturave të brendshme të PS-së ai u përjashtua edhe nga kryesia e partisë. Po ashtu edhe deputetja Mimoza Hafizi nuk shkoi më në mbledhjet e grupit parlamentar, pas një sherri me kreun e partisë, Edi Rama.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb