Gjykata e Tiranës këtë të enjte ka lënë në fuqi masat për 7 mjekët dhe infermierët e Onkologjikut të përfshirë në skemën e abuzimit ndaj pacientëve me kancer. Ata akuzohen për ‘shpërdorim detyre’, pasi dërgonin pacientët për kurim te klinikat private kur i njëjti shërbim ofrohej edhe te spitali publik. Gjithashtu, ata iu jepnin farmacive private ilaçet që ishin të dedikuara për farmacitë e spitalit dhe më pas ato iu shiteshin pacientëve. Hetimi i Prokurorisë së Tiranës arriti të zbërthejë skemën skandaloze të mjekëve dhe personelit të Onkologjikut. Për të provuar ekzistencën e këtij dyshimi nga ana e Prokurorisë u përdorën blerje të ilaçeve të stimuluara. Kryesisht u blenë ilaçe që përdorën për kimioterapi, duke zbërthyer dhe dokumentuar më pas të gjithë skemën abuzive.

Masat në fuqi janë lënë për:

Edmond Gashi – Mjek në Spitalit Onkologjik ne QSUNT, Arrest shtëpie
Emiljano Lela – Koordinator, Detyrim paraqitje
Alketa Ymeri – Mjeke, Detyrim paraqitje
Brikena Qirjazi – Zv/Drejtoreshë në QSUNT-e ngarkuar me detyra për shërbimin onkologjik, Detyrim paraqitje
Halil Gashi  – Administratori i një klinike private, Arrest shtëpie
Florian Marku – Administrator i Flori Farma, Arrest shtepie

Sakaq, masa për Drilona Kishtën nuk u ekzekutua dot, pasi është jashtë shtetit. Prokuroria e Tiranës po heton skemën, përmes të cilës mjekë të spitalit të Onkologjikut shisnin ilaçe të spitalit tek subjektet private.

Gjykata ka miratuar kërkesën e organit të akuzës duke çuar para përgjegjësisë ligjore 8 persona, mjekë të spitalit Onkologjik në QSUT, kirurgë, ish zv/drejtoresha e përgjithshme e spitalit, Brikena Qirjazi dhe farmacistë. Hetimi i Prokurorisë arriti të zbulojë skemën se si mjekë të spitalit të Onkologjikut shisnin ilaçe të spitalit tek subjektet private.

Gjithashtu, ata dërgonin pacientët për kurim te spitalet private, ndërsa më herët kishin refuzuar t’iu jepnin shërbim në shtet duke nxjerrë alibi të tilla si pritjet dhe radhët e gjata, kur në realitet nuk rezultonin të tilla. Në lidhje me ngjarjen në fjalë pati reagime të forta në opinionin publik, por dhe atë politik. Në rrjetet sociale vërshuan reagimet në lidhje me përgjimet që ‘fundosën’ punonjësit e këtij spitali, që bënin pazare hapur, madje dhe planet për pushime luksoze në Tajlandë apo Maldive.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb