Nga: JETON SELIMI*
Përpara ndeshjes me Armeninë, diçka e tillë nuk u trumbetua, mbase sepse të gjithë e kishin mendjen për të marrë fitoren e dytë në grup dhe si synim parësor ishte “bashkëjetesa” në vendin e dytë me Danimarkën në kuotën e 7 pikëve. Por gjithnjë pas një rezultati bëhen dhe llogaritë e para matematikore dhe përcaktohet strategjia që duket dhe më e përshtatshmja. Natyrisht, më e mira do ishte të fitoje çdo takim, por diçka e tillë nuk mund të ndodhë, aq më tepër në kushtet e kombëtares kuqezi. Thënë këtë, gazeta i ka lejuar vetes që të bëjë një hamendësim të rrugëtimit të kuqezinjve.
Ndeshja e parë për këto eliminatore do të jetë të premten e 4 tetorit në Kopenhagën, ku Shqipëria do të udhëtojë në transfertën më kyç të sezonit, atë kundër Danimarkës. Të dyja skuadrat aktualisht janë në kuotën e 7 pikëve dhe ndajnë vendin e dytë, por danezët do të përballen me Serbinë më 13 qershor dhe situata në tabelë mund të jetë tjetër. Por kjo nuk shmang faktin se Shqipëria e luan aty raundin kryesor të këtij edicioni. Një ndeshje, që veç vendit të dytë, luan një rol kyç dhe për vendin e tretë, pasi e treta më e mirë u bashkohet direkt 18 ekipeve të renditura në dy vendet e para në grup, çka shmang play-offin. Pas përballjes me Danimarkën, kuqezinjtë do të presin në Elbasan Portugalinë. Ronaldo me shokë luan ndeshjen e pestë në Armeni më 13 qershor dhe, një fitore e mundshme, do ta bënte më komode situatën e tyre, por natyrisht ndaj Shqipërisë do të luhet gjithçka, pasi ndeshjen e fundit luzitanët e luajnë në Serbi, ndërsa më parë do ndeshen me Danimarkën. Përballje këto që i vlejnë shumë Shqipërisë, gjithnjë nëse në Kopenhagën shmanget humbja. Ndeshja e parafundit nuk ka nevojë për reklamë… vjen Serbia. Serbët nga ana e tyre do të udhëtojnë në Danimarkë dhe presin Armeninë përpara se të vijnë në Shqipëri, por shanset e tyre duken realisht të kompromentuara, pas humbjes së fundit në Portugali. Veç “derbit” të nxehtë ballkanas, kjo ndeshje është oksigjen i pastër nëse sigurohen 3 pikët. Do të ishte play-off i garantuar për Shqipërinë, i pari në histori. Madje, me kombinimin e rezultateve, favorshëm për ne kuptohet, Shqipëria mund të ishte edhe e dyta, duke parë që Portugalia e Danimarka do të ndeshen mes tyre. Megjithatë, objektivi më i arritshëm është vendi i tretë, ndërsa e treta më e mirë do të ishte bileta e sigurtë drejt Francës. Por, me Shqipërinë që dhurohen emocione dhe siguri, nuk përjashtohet asgjë, gjithnjë nëse luajmë si në pjesën e dytë me Armeninë.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: