Në një intervistë në emisionin “Log.” Lulzim Basha, ish-kreu i Partisë Demokratike, komentoi përçarjen e opozitës dhe sipas tij ndikimin e kryeministrit Edi Rama në këtë proces. Duke iu përgjigjur akuzave të Ramës për “gjumin” e tij politik, Basha u shpreh se “e bëj gjumin rehat”, ndërsa sugjeroi se Rama, përkundrazi, nuk gjen paqe për shkak të aferave të tij.
“Një nga arsyet pse Ramën nuk e zë gjumi është përfshirja e tij në korruptimin e një prej figurave më të larta të sigurisë në SHBA,” tha Basha, duke nënkuptuar ndikimin që sipas tij Rama ka ushtruar ndaj Charles McGonigal.
Analisti Lorenc Vangjeli e sfidoi Bashën duke e pyetur pse u tërhoq nga skena politike pas vitit 2021, duke lënë “fushën e veprimit” ish-kryeministrit Sali Berisha, të cilin ai e quajti “ati politik” i Bashës. Basha u përgjigj se opozita duhet të kishte ecur përpara, pa u ngatërruar në konflikte të brendshme dhe të merrej me kauza personale, siç donte Rama.
“Rama investoi gjithçka për të ndarë opozitën dhe arriti sukses duke e fokusuar betejën te Berisha,” theksoi Basha, duke nënvizuar se përçarja ishte pjesë e një strategjie të mirëmenduar nga kreu i qeverisë, në bashkëpunim me oligarkë dhe grupe kriminale. Kjo “kauzë personale” sipas Bashës, ka pasur pasoja të rënda për bashkimin e opozitës, duke lënë gjurmë të ndikimit të Ramës në prishjen e unitetit politik të demokratëve.
Pjesë nga diskutimi:
Basha: Meqë Rama më akuzon mua për gjumë, unë e bëj gjumin rehat. Një nga arsyet pse Ramën nuk e zë gjumi është korruptimi që i ka bërë një prej drejtuesve më të lartë të sigurisë në SHBA.
Lorenc Vangjeli: Meqë përmendët gjumin, pse u duk sikur dremitët pas shtatorit 2021 kur bëtë një akt politik dhe i latë fushën e veprimit atit tuaj politik, të cilit i kishte ardhur radha që ju ta vrisnit?
Basha: Këtë e kemi ezauruar, por fokusi i opozitës dhe PD sipas meje atëherë dhe sot duhet të ishte ecja përpara dhe jo ngecja te lufta e brendshme siç donte Rama. Investimi i Ramës pati sukses te Berisha. Ky është investimi i vetëm që ka bërë Rama këto vite. Investimi i tij është zoti Berisha. Nuk duhet të na dëmtonte një kauzë personale, siç ishte ajo e zotit Berisha. Kjo betejë për të përçarë opozitën ka shenjat e gishtërinjve të Edi Ramës, oligarkëve dhe grupeve kriminale që i vuri në dispozicion për të ndarë opozitën.
(BalkanWeb)