Kryeministri i Britanisë, Boris Johnson, tha se “nuk do të pengohet nga askush” për t’u larguar nga Bashkimi Evropian më 31 tetor. Kjo datë është afati i fundit kur duhet të ndodhë Brexit-i dhe Johnson këmbëngul se do ta respektojë atë me ose pa marrëveshje me BE-në mbi kushtet e divorcit.

Ai tha se është “optimist i matur” për sigurimin e një marrëveshjeje për Brexit, por shtoi se Britania do të largohet në afat pa marrë parasysh se “çfarë ndodh”. Kryenegociatori i BE-së për Brexit-in, Michel Barnier, tha se ai “nuk ka arsye për të qenë optimist” për marrëveshje.

Johnson do të takohet me Barnierin dhe presidentin e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, të hënën. Këtë javë, Parlamenti britanik miratoi një ligj që e detyron Johnsonin të kërkojë zgjatje të afatit të Brexit-it.

Ai do të duhet t’i shkruajë BE-së më 19 tetor për të kërkuar tre muaj shtesë, nëse nuk siguron marrëveshje që më pas miratohet nga ligjvënësit ose nëse nuk e bind Parlamentin që të votojë Brexit-in pa marrëveshje.

Por, pavarësisht ligjit të ri, Johnson ka thënë se “më mirë do të vdiste në hendek” sesa të kërkonte zgjatje të afatit të Brexit-it. Kryetari i Parlamentit britanik, John Bercow, është zotuar se do të veprojë me “kreativitet” nëse Johnson e injoron ligjin.

Vitin e kaluar, paraardhësja e Johnsonit, Theresa May, ka arritur marrëveshje me BE-në për Brexit-in, por ajo është refuzuar tri herë nga Parlamenti – çfarë e ka detyruar Mayn të japë dorëheqje. Kundërshtimet e marrëveshjes kanë pasur të bëjnë kryesisht me politikat që i parashihte në kufirin me Irlandën.

BE-ja ka thënë se nuk do të negociojë marrëveshje të re dhe ka shtyrë dy herë afatin e Brexit-it. Institucionet financiare e kanë paralajmëruar Britaninë për pasoja të rënda ekonomike nëse lë BE-në pa marrëveshje. Qytetarët britanikë kanë vendosur për Brexit-in në një referendum të mbajtur në vitin 2016.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb