DURRES

Sherri për lojën me domino gati ka përfunduar në tragjedi në Durrës. Sipas policisë një 67-vjeçar ka përfunduar në spital pasi shoku i tij ka tentuar ta djegë me benzinë.

Gazetarja Klodjana Haxhiaj raportoi për “BalkanWeb” se dy burrat në moshë, njëri 65 e tjetri 67 vjeç kanë qenë duke luajtur domino pranë sheshit “Pranvera” në Durrës. Ata janë zënë duke akuzuar njeri-tjetrin për hile në lojë dhe në gjaknxehtësi situata ka degraduar fillimisht në konfrontim verbal dhe më pas në fizik.

“Më bëre hile”, ka thënë njeri prej tyre duke mos pranuar humbjen dhe kaq është dashur që situata të agravojë. 65-vjeçari I.R. ka tentuar të djegë me benzinë bashkëlojtarin, i cili ka marrë disa plagë dhe ndodhet në spital. Autori ka përfunduar në pranga.

“Tentoi të digjte më lëndë djegëse për motive të dobëta një shtetas, arrestohet në flagrancë autori. Seksioni për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Durrës në bashkëpunim me Shërbimet e Policisë së Rendit, kanë arrestuar në flagrancë shtetasin I.R., 65 vjeç, banues në Nr.6, Durrës.

Arrestimi i tij u bë pasi ky shtetas për motive të dobëta ka tentuar të djegë me lëndë djegëse shtetasin K. Sh., 67 vjeç, i cili u transportua në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë Durrës në ngarkim të shtetasit I.R., për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje” parashikuar në nenin 88 të Kodit Penal”, njofton policia.

(Balkan Web)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb