Të shumtë janë rastet raportimet për shqiptarë të cilët kanë bashkëpunuar apo kanë arritur të bëhen pjesë e botës së krimit në Itali apo edhe vetë “Ndraghetës”.
“Në shënjestër” ka sjellë rastet e shqiptarëve që arritën të hyjnë brenda botës së një prej organizatave më të njohura.
Njëri prej tyre ishte rasti i Elvis Demçes.
Historia e tij, nuk është thjesht ajo e mitit të ngritur të një shqiptari, që thuhet se u ngjit deri në majat më të larta të asaj që cilësohet si ‘bota e nëndheshme’ e krimit në Itali, por një nga trillet më të bujshme, se si shqiptarët jo vetëm kanë mundur të infiltrohen bindshëm brenda botës së narkosit, por të jenë të aftë të marrin në zotërim edhe vetë frerët e organizatave kriminale.
Aq sa të bashkëpunojnë apo të vendosin diktatin e tyre edhe në bizneset më të famshme të krimit në botë.
Kjo është historia e vetëm njërit prej tyre, e shqiptarit Elvis Demçe.
Atij që shpejt u njoh si narkotrafikanti më i fuqishëm shqiptar në Itali.
Njeriu, që filloi ta cilësojë veten, si ‘Zot i Drogës’.
Personazhi që në përgjimet e Interpolit fliste lirshëm me ushtarët e tij, për lumin e kokainës me të cilën furnizonte aksin Romë-Kalabri.
Aty ku drogën e tij e prisnin miqtë e ‘Ndranghetës’, të quajtur ndryshe ‘ndrine, një nga katër organizatat më të mëdha kriminale në Itali, në mos më e pushtetshmja, por edhe një ndër 10 më të fuqishmet në botë.
Nga përgjimet del se ai kujdesej në mënyrë të posaçme t’i trajtonin mirë, teksa emisarët e ‘ndrinës do të vinin në Romë, për të garantuar qarkullimin e kokainës në sheshet kryesore të kryeqytetit italian.
Ndërsa në biseda fliste edhe për vrasjen e dy magjistratëve të njohur në Romë, të cilët kishin nisur një hetim në lidhje me organizatën e tij.
“Këta kalabrezët janë të rëndë dhe unë jam i interesuar që shefat e tyre të na dërgojnë punë, ndaj kujdesuni pak për ta.
Tani do ju dërgoj paratë dhe një makinë me qira për ta. Nesër dy nga njerëzit e tyre do të vijnë në Tiburtinë. Duhet t’i merrni në stacion dhe t’i çoni në shtëpi. Ju lutem qëndrojuni pranë këtyre djemve, dhe krijoni përshtypje të mirë te ata për mua”, thuhet në përgjimet e Interpolit.
Siç del edhe më pas nga përgjimet, qëllimi i shqiptarit Elvis Demçe, ishte të ulej në komisionin e ‘Ndranghetës’, si një faktor i panegociueshëm në trafikun e lëndëve narkotike.
Gjë që ai mundi ta bëjë me shumë sukses për disa kohë, ashtu siç në fakt del edhe nga përgjimet.
“Kanali mes bandës shqiptare dhe furnitorëve kalabrezë, sa vjen edhe po konsolidohet. Ngarkesat e para kanë qenë të suksesshme dhe tani priten marrëveshje edhe më të majme se kaq.
Por për t’u ulur në tryezën e të mëdhenjve, duhet të japësh prova se jeni një gangster i vërtetë.
Edhe kur bëhet fjalë për shlyerjen e borxheve në kohë: ka 400 mijë euro në pjatë për një ngarkesë cilësore kokaine”, thuhet në përgjime.
Por Demçe e di që në këtë punë duhet dinakëri dhe ai duket se është i sprovuar në kësisoj pazaresh.
Në biseda me ushtarët e tij, pasi i urdhëron t’i gjejnë me patjetër këtyre ‘barinjve’ të ‘Ndranghetës’, një shtëpi jashtë qytetit, ku të fshehin drogën, ai u mëson atyre se si edhe t’u bëjnë nga një ‘kreshtë’ mysafirëve.
‘Kreshtë’, në gjuhën e tyre të koduar do të thotë një lojë ku ata të mos kuptojnë asgjë.
“Me kalabrezët duhet të silleni me respekt dhe të jeni gjithmonë të gatshëm për kërkesat e tyre.
Duhet të ma gjeni urgjentisht këtë shtëpi të ndyrë, të izoluar dhe me tokë për këta ‘barinj’.
Shikoni sa duan për këtë shtëpi dhe në bazë të kostos, bini dakord me pronarin.
Nëse shtëpia kushton 100, atyre thuaju 150. Dhe kështu na del një gjysmë qiri i pastër”, dëgjohet të thotë ai nga përgjimet.
Por shqiptari Elvis Demçe, krahas narkotikëve, kërkon të futet edhe më thellë në pazar me kalabrezët, duke u afruar atyre këtë herë armë, të cilat sipas tij i duheshin edhe për disa fëmijë të pamoralshëm, duke nënkuptuar kësisoj disa magjistratë problematikë.
“Dua të blej armë 20 mijë euro, a mund të më ndihmoni? Më duhet një AK 47, një Uzi, M12 Scorpion. Pastaj gjykatave u duhen Glok 17, Beretta 9×21 parabellum dhe nja 3-4 granata dore në formë ananasi. Këto armë na duhen për të edukuar disa fëmijë të pamoralshëm, të cilët nëse nuk i jep disa të shtëna, e ndjejnë frerin të lëshuar”, thotë ai në përgjimet e Interpolit.
Por Elvis Demçe nuk është shqiptari i vetëm që synoi të jetë ortak në tryezën e ‘Ndranghetës’.
Lidhjet e shqiptarëve me ‘Ndranghetan’ janë të hershme.
Midis tyre pati edhe nga ata që kohë pas kohe u bënë pjesë e kësaj organizate, gjë që del edhe nga përgjimet e drejtësisë italiane, e cila ka siguruar të dhëna të rëndësishme, se si katër shqiptarë, të cilët sot gjenden të arrestuar, u bënë pjesë e ‘Ndranghetës’.
Këta shqiptarë të lidhur me trafikun e drogës që vinte nga Amerika Latine, por që shërbenin për organizatën më të madhe të krimit në Itali, me bazë në Kalabri, janë Nertil Hoxhaj, Ervis Proshka, Reshit Seferi dhe Ankeloid Tuci.
Të gjithë të moshës 30 deri në 40 vjeç.
Të cilët u arrestuan falë një operacioni të gjerë të ndërmarrë nga policia italiane.
Sipas Guardia di Finanza, të arrestuarit ishin të lidhur me ata që cilësoheshin menaxherë kinezë, të cilët nga hetimet rezultuan se përdornin një sistem informal për pastrimin e parave.
“Bastisja është një operacion vendimtar që tregoi se si ‘Ndrangheta’ arrin kudo në të gjithë botën.
Një rol aktiv në këtë sipërmarrje ka luajtur një rrjet kinez përmes një sistemi informal të transferimit të parave ku mendohet se janë pastruar më shumë se 5 milionë euro”, deklaronte Guardia di Finanza.
Sipas Guardia di Finanza, zbulimi erdhi më pak se një muaj, pas një aksioni në të cilin policia evropiane arrestoi më shumë se 100 mafiozë të dyshuar, në një operacion të madh kundër kontrabandës së drogës dhe armëve.
Operacioni u shtri edhe në qytetin e Bolonjës, ku u bë edhe arrestimi i katër shqiptarëve, midis 40 urdhërarresteve të lëshuara nga drejtësia italiane, në një hetim që nisi në fundin e vitit 2019 dhe përfundoi në korrik të vitit 2022, që pati si synim gjurmimin e trafikut të 1.2 ton kokaine.
“Nertil Hoxhaj, ka krijuar një bashkëpunim të ngushtë me shtetasit Pietro Costanzo, Francesco Silipo dhe Gennaro Lonetti, të cilëve u ka shitur dhe dorëzuar, një sasi prej rreth 10 kilogramë lëndë narkotike të llojit marijuanë. Ky dorëzim, u krye në provincën e Bolonjës, në një datë të përafërt me atë të 15 korrikut të vitit 2020.
Po kështu Ervin Proshka dhe Reshit Seferi, kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin dhe i kanë shitur, transportuar dhe dhënë një sasi të pa specifikuar të substancës narkotike të tipit kokainë, shtetasit Pietro Costanzo.
Ky dorëzim u krye krye në provincën e Reggio Emilia në një datë afër 16 dhjetorit 2019.
Lidhur mbi Ankeloid Tucin, në bashkëpunim me dy persona të tjerë, ai ka marrë nga Giuseppe Romeo, Francesco Silipo dhe Gennaro Lonneti dhe ka mbajtur 10 kilogramë lëndë narkotike të tipit kokainë, me një vlerë prej rreth 200 000 euro”, thuhet në dosjen e autoriteteve italiane.
Por siç shikohet edhe nga dosja italiane e hetimeve, roli i shqiptarëve të ‘Ndranghetës’, në trafikun e lëndëve narkotike, është i përcaktuar qartë.
“Në fund të nëntorit 2019, Nertil Hoxhaj, ishte përgjegjës për dy ngarkesa me 2 kg kokainë dhe 10 kg marijuanë, për organizatën.
Ai ka vepruar në më shumë se një rast si ndërmjetës për transferimin e sasive të kokainës ose e ka kryer vetë shitjen.
Më 15 korrik 2020, ai ka vepruar si ndërmjetës, në emër të Pietro Costanzo, Francesco Silipo dhe Gennaro Lonnetit, për dorëzimin e 10 kg marijuanë te një blerës në Bolonja.
Nga 80 kg marijuanë që ishin marrë në dorëzim në korrik të vitit 2020, 47 kg rezulton se ishin dorëzuar në bashkëpunim me shqiptarët”, thuhet në dosjen e autoriteteve italiane.
Në lidhje me shqiptarin tjetër Ankeloid Tuci, ai thuhet se ishte i angazhuar ekskluzivisht në dorëzimin e hashashit.
“Ankeloid Tuci, një shqiptar me banim në Lombardi, është furnizuesi kryesor i hashashit, në bashkëpunim me Giuseppe Romeo.
Të paktën në katër raste, ai është ofruesi i 125 kg kanabis sativa.
Në të njëjtën kohë, nga organizata janë blerë sasi të rëndësishme kokaine, në total gjashtë blerje për rreth 20 kilogramë.
Frekuenca apo vazhdimësia me të cilën Tuci furnizonte organizatën me hashash dhe blinte ose vepronte si ndërmjetës për shitjen e kokainës, tregon se si marrëdhëniet me bashkëpunëtorët e tjerë ishin të një besimi absolut.
Lidhje që doli qartë edhe nga bisedat në të cilat ai ndërvepronte kryesisht me Giuseppe Romeo dhe Francesco Silipo”, sqarohet në dosje.
Por Ankeloid Tuci nuk ishte thjesht një shpërndarës hashashi, që punonte për llogari të organizatës.
Ai ishte shumë më shumë se kaq.
Sipas dosjes italiane, ai ishte një njeri i besuar, i bosit të arratisur në Spanjë.
“Ankeloid Tuci, është një njeriu i besuar i bosit të arratisur në Spanjë, aq sa ky i fundit, më 12 dhjetor 2020, e pyeti nëse kishte në dispozicion një kamion për të transportuar një ngarkesë prej 85 kg lëndë narkotike nga Spanja në Itali.
‘Unë kam 60 kg në Madrid… kamioni juaj merr…???…dhe unë kam 25 kg në Barcelonë”, thuhet në dosjen italiane.
Po kështu Ankeloid Tuci, ishte edhe njeriu i besuar që shërbente për mbledhjen e parave të fituara nga shpërndarja e drogës nëpër sheshet e kryeqytetit italian, Romë.
“Ankeloid Tuci ishte i ngarkuar edhe me mbledhjen dhe transportin e parave të bashkëpunimit.
Në ditët e para të shkurtit 2021, Giuseppe Romeo, i besoi atij detyrën për të mbledhur shumën prej 150 000 eurosh në Romë si edhe për t’i transportuar në Spanjë,
Por pjesëmarrja e tij në strukturën e organizatës konstatohet edhe nga ndihma që bashkëpunëtorët i kërkuan për furnizime me kokainë, në kohë kur kjo substancë mungonte dukshëm në treg.
Një moment i tillë është edhe ai kur më 1 mars 2021, Giuseppe Romeo, i kërkoi t’i zgjidhte një problem të momentit që ishte krijuar për shkak të mungesës së kokainës në treg”, thuhet në dosje.
Një tjetër shqiptar që kishte një rol të rëndësishëm në organizatë, ishte edhe Ervin Proshka.
Siç del nga dosja hetimore italiane, ai kishte mundur shpesh t’i shpëtonte miqtë e tij, kur në treg mungonte lënda e parë.
“Mbështetja e Ervin Proshkës për organizatën u shfaq edhe në momente kritike, si ajo më 27 shkurt dhe 2 mars 2020, ku pasi u njoh me vështirësitë në treg, ai vuri në dispozicion sasi lënde narkotike me qëllim. për të vazhduar biznesin e trafikut të drogës”, thuhet në dosjen e autoriteteve italiane.
(BalkanWeb)