Hengameh Haj Hassan është njëra nga mijëra gratë iraniane që luftojnë për lirinë e vendit dhe popullit të vet dhe që ka rezistuar kundër diktaturës që sundon Iranin. Ajo iu bashkua Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit pas revolucionit të 1979-ës dhe përmbysjes së Shahut në Iran. Ka kaluar shumë vite në burgun e mullahëve, i ka rezistuar tortureve të jashtëzakonshme dhe ka kaluar një jetë plot rreziqe dhe mundime. Por këmbëngul që nuk do të përulet kurrë para diktaturës dhe është e vendosur ta çlirojë me çdo kusht popullin dhe vendin e saj.

Ajo i ka përmbledhur kujtimet e saj në një libër të titulluar “Sy më Sy me Përbindëshin”, i cili shpreh heroizmin e anëtareve femra të MEK, por edhe brutalitetin e pakufishëm të rojave e torturuesve në burgjet e mullahëve.

Sot ajo erdhi me ne në “Ekspozitën e 120 viteve të betejës së popullit iranian për liri.”

Hengameh jeton së bashku me anëtarë të tjerë të lëvizjes së opozitës iraniane MEK në një qytezë afër Manzës në lindje të Tiranës. Ky qytet është ndërtuar nga e para, i gjithi me shpenzimet e vetë MEK-ut. Ata e kanë emërtuar qytetin Ashraf 3. Ashraf është emri i një gruaje e cila është simbol i betejës së grave iraniane kundër diktaturës së mullahëve. Ashraf u vra nga forcat shtypëse të regjimit në vitin 1983. Vitet 80 ishin një epokë kur Khomeini, themeluesi i Republikës Islamike të Iranit nxori një fatwa për masakrimin e anëtarëve të MEK. Pas kësaj fatwa, çdo ditë qindra burra e gra, mbështetës të MEK, dërgoheshin para skuadrës së ekzekutimit ose torturoheshin për vdekje.

Hengameh, së bashku me anëtarë të tjerë të MEK pati mundësinë të vinte në Shqipëri nga Iraku në 2016-ën, pas një fushate ndërkombëtare të drejtuar nga Maryam Rajavi, udhëheqësja e lëvizjes, dhe një aksioni të përbashkët humanitar nga Qeveria e mëparshme dhe aktuale e Shqipërisë. Ndërkohë që një tjetër skenar Holokausti kishte shumë mundësi të ndodhte kundër këtyre refugjatëve në “Kampin e vdekjes” të quajtur Kampi “Liberty” në Irak, Hengameh dhe anëtarët e tjerë arritën të transferoheshin në Shqipëri. Kur ishin në Irak, ata sulmoheshin herë pas here nga Ushtria Irakene apo nga raketa me urdhër të regjimit iranian dhe 147 prej shokëve e shoqeve të tyre janë vrarë, e mijëra të tjerë janë plagosur.

Hengameh thotë: Populli shqiptar është shumë i dashur, i respektoj vlerat e tyre. Ne kemi një histori të përbashkët në luftën kundër diktaturës. Ajo thotë se Shqipëria është shtëpia e saj e fundit para çlirimit të vendit të saj.

Hengameh Untitled
Hengameh Untitled

Si përgjigje ndaj pyetjes se si iu bashkua MEK-ut, ajo thotë:

I mbarova studimet në Iran. U diplomova nga Shkolla e Infermierisë e Universitetit të Teheranit dhe më pas punova si infermiere në Spitalin Sina në Teheran.

Pasi diktatura e mullahëve mori pushtetin në vendin tim, e gjeta zgjidhjen për t’u çliruar nga shtypja e mullahëve duke iu bashkuar MEK-ut. Ishim disa infermiere që vepronim brenda dhe jashtë spitalit në mbështetje të MEK.

MEK kishte shumë popullaritet mes njerëzve, sidomos mes të rinjve dhe grave në mbarë vendin. Por Khomeini nuk mund ta toleronte kaq shumë mbështetje për MEK-un dhe dërgonte forcat e mercenarët e tij represivë në tubimet e organizatës MEK për t’i plagosur mbështetësit e saj. Në këto rrethana, ne kishim përgjegjësinë të kujdeseshim për të plagosurit. Duhej t’i nxirrnim të plagosurit jashtë spitalit sa më shpejt të ishte e mundur sepse mullahët i përndiqnin ata edhe në spitale për t’i arrestuar e për t’i çuar nëpër burgje.

Disa prej doktorëve e infermierëve i pushonin nga puna ose i fusnin në burg për shkak se kujdeseshin për anëtarët e mbështetësit e MEK. Kështu që nuk kisha më mundësi ta vazhdoja punën si infermiere meqë njihesha si mbështetëse e MEK. Vetëm mbështetja për MEK-un apo dhënia e ndihmës ndaj tyre mjaftonte që të të arrestonin e të të ekzekutonin. Pikërisht si ajo që po ndodh sot me mbështetësit e MEK në protestat mbarëkombëtare të nëntorit 2019 në Iran: regjimi i vret brutalisht ata dhe i torturon në kushte barbare.

Më në fund më arrestuan në nëntor 1981 në rrugë. Atë ditë, agjentët e regjimit po arrestonin shumë të rinj për të njëjtat arsye.

Hengameh e shpjegon arrestimin e saj si vijon:

M’i lidhën fort sytë dhe më hodhën brenda në makinë me grushta e shqelma e duke më sharë, dhe u nisën për në burgun famëkeq Evin, siç e mora vesh më vonë. Në ato çaste po mendoja për nënën time dhe se do të doja t’i thosha që më kishin arrestuar.

Hengameh thotë:

Kjo ekspozitë është vetëm një imazh i vogël i shumë sakrificave e vuajtjeve të MEK dhe të popullit iranian për liri. Kjo ekspozitë ka pjesë të ndryshme, çdonjëra prej të cilave përmban mijëra faqe historie të Iranit. Ajo më udhëhoqi drejt një pjese të ekspozitës së Ashraf 3. Këtu është rikrijuar një skenë e një pjese të vogël të burgut Evin me forma të ndryshme torture, dhe ia tërheq vëmendjen çdo vizitori. Statujat e të burgosurve, veglat e torturës dhe qelitë janë rikrijuar me shumë mjeshtëri sikur të ishin të vërteta. Hengameh na tregon për torturat në burgje dhe atë që ka përjetuar si një e burgosur politike.

Duke na treguar rikrijimin e shtratit të torturave, ajo thotë: “Personi që merrte në pyetje më goditi në gjoks në shtratin e torturës. Ai m’i lidhi duart e këmbët shumë fort në skajet e shtratit. Sado që mundohesha, nuk mund t’i lëvizja këmbët. Një torturues tjetër rrinte prapa meje dhe më hodhi një batanije mbi kokë. Befas diçka ma goditi fort pëllëmbën e dorës. Në çast, një dhimbje e tmerrshme si elektricitet m’u fut në nerva dhe ma shkundi gjithë trupin. Pastaj erdhën goditjet e tjera rresht e rresht. Nuk munda t’i numëroja sa ishin. Thjesht ulërija nga dhimbja.

Hengameh është njëra nga gratë trime që kanë përjetuar për shumë muaj në burgjet e Khomeini-ta një torturë të egër e të gjatë të quajtur “kafazi”. Duke treguar modelet e këtyre “kafazeve” në ekspozitë, ajo thotë:

Pasi më goditën me kamxhik në kokë e në trup, më çuan tek sallat e qelitë e burgut dhe më sollën tek një dhomë në të majtë e më dorëzuan tek gruaja që ishte aty. Ajo grua më detyroi të rrija ulur midis dy shtretërve në një gjatësi rreth gjysmë metri që ishte vendosur vertikalisht. Sytë m’i mbanin ende të mbyllur…

Qëndrova në atë pozicion për disa muaj. Nuk më lejohej të hiqja lidhësen e syve apo shallin. Nuk mundja as të kollitesha! Nuk mund të flisja. Isha si në arkivol. Duhej të rrija në pozicion ulur. Më dukej sikur po vdisja. Dhe kjo gjendje vazhdoi për ditë e muaj të tërë…

Nuk më lejohej të flija, as edhe për pak minuta, gjatë ditës dhe para mesnatës. Nëse e bëje diçka të tillë, papritmas të rrihnin e torturonin.

Kur rrinim ulur, duhej ta ulnim kokën, në mënyrë të tillë që të mos e kalonte lartësinë e “Kafazit”, lartësi e cila nuk shkonte më shumë se gjysmë metri. Nëse e kalonim atë lartësi, rojat e burgut na rrihnin me kabllo, me grushta e shqelma, për të na detyruar ta ulnim kokën. Kjo periudhë zgjati 7 muaj.

Thumbnail Hengameh 1
Thumbnail Hengameh 1

Hengameh, e cila u lirua dy vite pas këtyre ngjarjeve, në vitin 1983, thotë se e mban mend shikimin e fundit të grave që i thanë lamtumirë përpara ekzekutimit. Me sy të përlotur, ajo thotë, me sa di unë, mes grave të ekzekutuara ishin edhe 50 gra shtatzëna. Ato u ekzekutuan së bashku me fëmijët e tyre të palindur. Unë jam zëri i tyre sot.

Hengameh thotë se arsyeja e lirimit të saj kishte të bënte me debatet midis Khomeini-t dhe Montazeri-t, pasuesit të Khomeini-t, në lidhje me atë që ndodhte nëpër burgje; dhe presioni që lindi nga këto mosmarrëveshje e detyroi regjimin t’i lironte një numër të burgosurish.

Dy vite pas lirimit tim, nga fundi i 1985-ës, munda të largohesha nga vendi me qëllimin për t’iu bashkuar Muxhahedinëve jashtë shtetit për ta vazhduar betejën për çlirimin e vendit tim nga zgjedha e mullahëve.

Hengameh thotë, “Sot, ata heronj e heroina janë shumëfishuar e gjallojnë në ata të rinj e të reja të guximshme të vendit tim që thërrasin vdekje diktatorit në rrugët e Teheranit e të gjitha qyteteve të tjera në Iran.”

E pyesim se çfarë dëshiron për të ardhmen e Iranit.

Hegameh thotë: Liria është e drejta më themelore e çdo qenieje njerëzore. Dua që gratë e vendit tim të jenë të lira për të zgjedhur se çfarë duan të veshin, për të zgjedhur çfarëdo dege studimi që duan, dhe për të qenë në çfarëdo pozicioni për të cilin janë të kualifikuara. Dua që fëmijët iranianë të mos detyrohen të flenë nëpër rrugë e në të ftohtë nga varfëria e shkaktuar nga plaçkitja që kryejnë mullahët. Dua që familjet të mos detyrohen të shesin veshkat e sytë për të ushqyer fëmijët e tyre. Dua që minoritetet fetare dhe etnike të jenë të lira dhe të kenë të drejtën e lirisë së shprehjes. Kërkoj sundimin e popullit bazuar në votën e lirë për të krijuar një qeveri demokratike. Të gjitha dëshirat e mia janë të përfshira në planin me dhjetë pika të zonjës Maryam Rajavi. Dhe dëshiroj që një ditë t’i ftoj të gjithë miqtë e mi të dashur shqiptarë që na kanë pranuar në vendin e tyre, në Iranin e Lirë të së nesërmes, dhe t’ua shpërblej mirësinë e tyre në Iran.

Hengameh dhe banorët e tjerë të Ashraf 3 kanë tërhequr çuditërisht vëmendjen e mbarë botës. Figura politike, parlamentare dhe të të drejtave njerëzore nga e gjithë bota, duke përfshirë SHBA-në dhe Europën, kanë shkuar vazhdimisht në Ashraf 3, në Shqipëri, për t’u takuar me MEK. Personalitete të tilla si ish-Kryebashkiaku i Neë York City Rudy Giuliani, ish Kandidati për Zëvendës President, Senatori Lieberman, dhe figura të tjera amerikane e parlamentarë europianë janë takuar vazhdimisht me anëtarët e opozitës iraniane në Shqipëri dhe kanë shprehur mbështetjen e tyre për pjesëtarët e MEK dhe kauzën e tyre për një Iran të lirë.

Ajo që e ka tërhequr kaq shumë vëmendjen ndërkombëtare ndaj MEK-ut është këmbëngulja dhe qëndresa e anëtarëve të kësaj organizate kundër një diktature fetare. Regjimi i mullahëve në Iran ka kryer me qindra herë komplote terroriste për masakrimin e të gjithë anëtarëve të MEK. Por pavarësisht faktit që mijëra prej tyre janë vrarë e plagosur brutalisht, ata kanë fituar gjithnjë e më shumë popullaritet brenda Iranit si dhe në arenën ndërkombëtare.

Ata shihen si alternativa e vetme demokratike ndaj regjimit iranian. Plani me dhjetë pika i zonjës Maryam Rajavi, udhëheqëses së opozitës iraniane, për të ardhmen e Iranit i ka të gjitha parimet e një qeverisjeje universale demokratike. Ky plan ka marrë mbështetje të gjerë ndërkombëtare dhe brenda Iranit.

Popullariteti i Muxhahedinëve e ka irrituar regjimin iranian. Organet e ushtrisë dhe sigurisë të regjimit iranian janë përgjegjëse për kryerjen e akteve terroriste dhe zhvillimin e fushatave djallëzore kundër MEK. Në maj 2018, Kryeministri Edi Rama përjashtoi ambasadorin e regjimit në Tiranë, Mohammed Nia, dhe zyrtarin e parë të ambasadës, të cilët ishin të përfshirë në një komplot terrorist kundër festimeve të MEK me rastin e Novruzit në Shqipëri. Muajin e fundit në një konferencë për shtyp, kreu i policisë shqiptare, Ardi Veliu, zbuloi identitetet e anëtarëve të një celule terroriste të regjimit iranian, të cilët kishin lidhje me Forcat terroriste Quds të Iranit. Ata kishin patur një komplot terrorist kundër MEK në Shqipëri.

Duke iu referuar fushatës demonizuese të regjimit të mullahëve kundër MEK, Hengameh thotë: Mullahët nuk kanë mundur t’i detyrojnë MEK-ët të dorëzohen pavarësisht ekzekutimit të 120,000 njerëzve dhe torturimit mizor të liri-dashësve iranianë, si dhe përpjekjes së tyre të dështuar për të na masakruar të gjithëve në Irak. Tani që nuk ka mundur të na shkatërrojë fizikisht, regjimi ka organizuar një fushatë të kushtueshme demonizimi kundër nesh, duke i përdorur agjentët e tij të inteligjencës si “ish-anëtarë të Muxhahedinëve”, e duke punësuar gazetarë e lobues.

Hengameh thekson se autorët e kësaj fushate në Shqipëri janë agjentë të paguar nga ambasada e regjimit iranian në Tiranë, të cilët paraqiten si “ish-anëtarë të Muxhahedinëve” dhe dalin në disa kanale televizive të Shqipërisë duke pretenduar sikur nuk ka liri brenda MEK-ut dhe sikur takimet familjare janë të ndaluara. Pavarësisht gjuhës që përdor, regjimi iranian dëshiron të ndikojë negativisht tek miqësia dhe dashamirësia e popullit shqiptar ndaj nesh dhe të na bëjë presion. Po këtë vit, një reporter i lidhur me regjimin, në revistën gjermane Der Spiegel, shkroi një artikull rreth agjentëve të regjimit në Tiranë, të titulluar “Ish-Anëtarët”, ku pretendon se: Muxhahedinët në rezidencën e tyre në Ashraf, Shqipëri, “Shumë prej tyre praktikohen për të prerë fytin me thikë tre herë në javë, për të thyer dorën, për të qorruar sytë me gisht e për të shqyer gojën.” Më 21 mars 2019, gjykata gjermane e urdhëroi der Spiegel që t’i heqë këto shpifje nga faqja e saj në internet brenda 24 orësh, përndryshe do të merrte një gjobë prej 250,000 eurosh ose një dënim me gjashtë muaj burg për secilën shkelje.

Hengameh thotë, shqiptarët dhe miqtë tanë vijnë çdo ditë në Ashraf dhe qeshin me këto akuza, por për mullahët iranianë të cilët po përmbysen, të qëlluarit direkt ndaj kundërshtarëve të tyre gjatë demonstratave brenda Iranit dhe kryerja e operacioneve terroriste e djallëzore kundër opozitës në Shqipëri janë e vetmja mënyrë me të cilën regjimi përpiqet, ndonëse më kot, ta ruajë pushtetin dhe të vazhdojë të mbijetojë.

Guximi dhe këmbëngulja e Hengameh në betejën kundër diktaturës së vendit të saj janë për t’u lavdëruar së tepërmi. Muxhahedinët në Ashraf janë burra e gra vetëmohues që kanë krijuar një komunitet unik të bazuar në dashuri dhe emocion. Ata ia kanë kushtuar jetën shpëtimit të popullit iranian. Shumë prej tyre janë diplomuar në universitete amerikane, europiane dhe iraniane dhe kanë patur një jetë të mirë; të gjithë anëtarët e MEK kanë luftuar vullnetarisht në radhët e MEK për vite të tëra. Fushatat e gënjeshtrave dhe propagandës së regjimit iranian kundër Muxhahedinëve nuk kanë asnjë bazë në realitet./GSH.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb