ELBASAN

22-vjeçarja Rovena Zekaj e cila 3 ditë më parë u tentua të përdhunohej nga një 36-vjevcar në Elbasan rrëfen vetë përmes një interviste ngjarjen e rëndë, e cila e ka lënë ende me pasoja. Rovena Zekaj tregon se gjithçka nisi kur 3 djem të cilët ishin në një makinë nisen ta ngacmonin teksa ajo ecte në rrugë.

“Unë isha duke u kthyer në shtëpi dhe kaloi kjo makina duke ofenduar. Njëri nga këta çunat u ul nga makina dhe erdhi tek unë duke mu drejtuar me fjalë shumë të pista. Ngaqë pashë se situata u pak keq, mora targën e makinës dhe thirra policinë”, tregon e reja.

22-vjeçarja thotë se menjëherë lajmëroi policinë duke i treguar asaj targën e makinës, por shton se nuk pati asnjë reagim nga kjo e fundit.

“Ata sa kanë parë se unë kam marrë targën dhe thirra policinë, u larguan dhe u kthyen përsëri me një makinë tjetër me targë tjetër, një makinë blu. Policia erdhi dhe unë iu tregova se ata kishin ndryshuar makinën dhe tani nuk e dija targën dhe makina ishte blu. Policia zbriti nga makina por nuk veproi. Pastaj u futën në makinë dhe këta djem u sollën rreth pallatit dhe u kthyen përsëri ku isha unë”, rrëfen më tej Rovena.

Rovena tregon se pas kësaj djemtë u rikthyen sërish më vonë, me një tjetër makinë dhe njëri prej tyre e ka ndaluar dhe ka tentuar që ta përdhunojë.

“Sa isha duke kaluar rrugën unë pashë që një person ishte duke më ndjekur. Nuk ishte djalë i vogël, ishte një burrë. Më kapi nga krahu dhe prej fyti dhe më vuri në tokë. Ka hipur sipër meje dhe ka filluar të më prekë. Më ka shpëtuar vetëm fakti që është ndezur një dritë në një pallat”, thotë ende e tronditur Rovena.

Pak orë më vonë policia e Elbasanit arrestoi 36-vjeçarin me iniciale O.C.  Prokuroria kërkoi 40 ditë burg deri në sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarje, por dje Gjyqtarja Pajtime Fetahu e liroi duke vendosur detyrim paraqitje për 36-vjeçarin. E reja e cila jeton në Itali, prej 2 javësh ndodhet në vendlindje pasi ndjek programin e Erasmus në universitetin “Aleksandër Xhuvani”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb