TEPELENË- Babai i 10-vjeçarit që humbi jetën në Tepelenë pas një gjendje gripale, ka rrëfyer momentet e fundit të të birit dhe problemet e tij shëndetësore. Në një prononcim, ai thotë se i biri i vdiq në krahë, ndërsa ishte duke e dërguar në spital. Babai tregon se 10-vjeçari vuante nga migrena prej 1 viti e gjysmë.

“Unë jam babai i djalit. Djalin e kisha me migrenë. E çova në Tiranë, në Gjirokastër, por nuk i tregoi gjë skaneri. I merrja ilaçet çdo dy muaj. Kishte një vit e gjysmë i sëmurë, i bija pas me ilaç. Kur e çova në spital, ishte në gjendje të mirë me 39 ajo i bëri gjilpërë dhe për momentin ia uli në 36, normal.
Nga ora 4 e natës unë nuk arrita dot në spital që ta çoja. Më ka vdekur në krahë, në shpatullat e mia. Temperatura i nisi dje. Më shumë e sulmonte migrena.
Më thanë mjekët ta çoja në Gjirokastër, por nuk e çova sepse u bë më mirë. Dje më llafoste, bënim qyfyre. I dhashë dhe kos, hëngri bukë. Nusja i dha ilaçet e migrenës. Ishte normal. Sot në 4 të mëngjesit unë nuk munda të shkoja në spital, nuk kishin faj mjekët. Më kërkoi ujë, i thashë je mirë babi. Mirë jam më tha, po sa e çova atje lart këputi kokën”, tha babai i 10-vjeçarit.

Gazetarja Brikena Metaj raportoi për “BalkanWeb” se 10-vjeçari është dërguar mbrëmjen e djeshme në spital rreth orës 19:00 jo me temperaturë të lartë 37 e pak por e vijueshme. Ai ka pasur temperaturë të lartë 39 e më shumë por është mjekuar nga prindërit dhe në spital ka shkuar me temperaturë 37 e pak. I është bërë një prednizolon dhe mjeku rojë i ka rekomanduar ta çojnë në spitalin e Gjirokastrës.
Pas vizitës në spital ka pasur përmirësim dhe prindërit nuk e kanë menduar më të keqen. Ndaj e kanë çuar në shtëpi edhe për shkak të gjendjes ekonomike. Por gjatë natës gjendja e tij është përkeqësuar dhe ka pasur dhimbje koke dhe nuk ka mundur të mbijetojë.
Por sipas mjekes rojë, 10-vjeçari nuk ka pasur gjendje të mirë shëndetësore, pasi prej kohësh paraqiste probleme. Prej 1 viti e gjysmë ai mjekohej për migrenë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb