FIER

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka vizituar sot Fierin dhe në pyllin e Semanit, ajo ka takuar të rinjtë fierakë, me të cilët ka biseduar për problemet dhe sfidat e rinisë në vend.

Kryemadhi shprehet se Fieri ka një pasuri të jashtëzakonshme, sikundër edhe qarqet e tjera dhe se rinia këtu e kudo në Shqipëri meriton më shumë.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Postimi i kryetares së LSI-së Monika Kryemadhi:

Më kishte marrë malli për Fierin. Kemi marrë një angazhim shumë të madh tonin në qarkun e Fierit, sepse ne mendojmë që Fierit duhet t’i rikthehet fuqia, autoriteti dhe pushteti në dorën e qytetarëve të tij.

Do të jemi akoma dhe më të qëndrueshëm, më këmbëngulës për sa i përket të gjitha angazhimeve tona si Lëvizje Socialiste për Integrim për arsim cilësor, për reformimin e arsimit të lartë, për punësimin e të rinjve dhe lidhjen e tyre sa më shpejt me tregun e punës dhe për të krijuar mundësi për ju, që asnjëri të mos ndjejë nevojën për të jetuar jashtë Shqipërisë, por të gjejë mundësi të mrekullueshme në Shqipëri dhe pse jo këtu në qarkun e Fierit.

Ne sot jemi në pyllin e Semanit. Një mrekulli! Qarku i Fierit është qarku më i pasur në Shqipëri, jo vetëm për sa i përket burimeve natyrore, por edhe për sa i përket kapaciteteve njerëzore.

Fieri meriton më shumë dhe më mirë!

Ndryshimin e zhvillimin nuk do ta bëjmë ne, do ta bëni ju sepse mendojmë që më shumë se kurrë jeni ju ata që jeni të gatshëm për të dhënë çdo gjë dhe për të bërë çdo gjë për ta bërë Fierin një qytet jo vetëm të banueshëm, por një nga qytetet më të begatë për sa i përket edhe të ardhurave për frymë.

Ne në fakt kemi filluar një lëvizje në të gjithë Shqipërinë, kemi filluar në Tiranë, sot jemi në Fier, nesër përsëri do të jemi në qytete të tjera për t’u takuar me të gjithë maturantët dhe studentët e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Sepse kjo gjë na bën të mundur zgjerimin e LSI-së, për t’i krijuar hapësira më të mëdha LSI-së, sepse ne si forcë politike jemi gjithmonë të hapur, jemi të etur për të rinjtë dhe të rejat, sepse vetëm në këtë mënyrë Lëvizja Socialiste për Integrim do të jetë gjithmonë më pranë njerëzve, do të jetë gjithmonë më pranë familjeve.

Tani e kemi për detyrë të ftojmë edhe strukturat e tjera të rinisë, qoftë të Tiranës, Durrësit, Lushnjes, Beratit e të rretheve të tjera për të ardhur për ta parë, por edhe pastruar pyllin e Semanit.

Unë ju falënderoj dhe ju jam shumë mirënjohëse! ?

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb