Ish-ministri dhe rektori i Universitetit “Luarasi”, Ethem Ruka, i ftuar në podcastin “Çështja është” e Aleksandër Çipës, foli në lidhje me botimet e tij.
Ai u shpreh se arsyeja që e çoi që të hidhte në letër rrëfenja e kujtime nga jeta e tij, tek “takim me vetveten”, ishte malli për vetveten dhe një kohë tjetër.
“Duke shkruar rrëfenjat kuptova që më kishte marrë mall për veten. Kjo ndodh për të gjithë njerëzit e brezit tim që ripërtypin kujtimet e së kaluarës. Duket sikur shkruan për veten, por shkruan për një kohë dhe brez të caktuar.
Kjo ka qenë nxitja për të shkruar disa rrëfenja.
Pata fatin që të kryeja studime të zgjatura në Francë, në një kohë kur vendi ynë ishte i izoluar. Dhe kontrastin që kishte Franca me Shqipërinë e asaj kohe mendova t’i hedh në letër. Botime të tilla na mungojnë.
Jeta është një orë biologjike që nis dhe mbaron. Mirë është të lëmë diçka që shkruhet dhe lihet edhe për brezat që vijnë më pas.
Librat janë si puna e verës, edhe nëse nuk kanë verë sot, kanë nesër”, u shpreh ai.
(BalkanWeb)