TIRANË
Pak ditë pas arrestimit në sallën e gjyqit, mjeku i QSUT, Edvin Prifti, ka befasuar me lëvizjen e tij. Mjeku ka apeluar vendimin e GJKKO, duke kërkuar t’i hiqet masa e arrestit me burg.
Në apelimin e siguruar të plotë për “BalkanWeb” nga gazetarja Klodiana Lala, mes të tjerash thuhet se mjeku Prifti kërkon që t’i rikthehen paratë e sekuestruara nga SPAK, pasi sipas tij, janë paratë e bashkëshortes nga një akt-marrëveshje shit-blerjeje.
“Ti kthehen Enida Priftit të hollat e sekuestruara në çantën e të hetuarit dhe në banesë, sepse nuk janë prova materiale ose sende që lidhen me veprat penale, për të cilat ai hetohet, por pjesërisht pasuri e ligjshme që buron nga një marrëdhënie juridike civile dhe diferenca eventuale, kursime familjare, për të cilat nuk ka pengesë ligjore të mbahen në banesë”, thuhet në kërkesën e siguruar.
Kujtojmë se mjekut Edvin Prifti iu sekuestruan nga SPAK 250 mijë euro dhe 160 milionë lekë, gjatë kontrollit në banesë dhe në zyrë.
(BalkanWeb)