ELBASAN

Policia e Elbasanit ka finalizuar operacionin “Zaranika”, ku ka sekuestruar lëndë narkotike dhe minë me telekomandë si dhe ka arrestuar poseduesin e tyre.
Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e personave që tentojnë të trafikojnë lëndë narkotike apo lëndë plasëse, mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative, pas një hetimi me metoda speciale, Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme kanë arrestuar në flagrancë shtetasin A.R.

Shërbimet e Policisë gjatë kontrollit të ushtruar në qytetin e Elbasanit i kanë gjetur këtij shtetasi 1 minë me telekomandë, si dhe rreth 7 kg lëndë narkotike e llojit kanabis, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për zbardhjen e plotë të këtij rasti, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar. Materialet në ngarkim të tij i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan për veprat penale të “Prodhimi dhe mbajta pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb