Ka qenë pak befasi por jo çudi më pas kërkesa e zotit Sandër Lleshi për t’iu hequr grada madhore “Gjeneral Brigade” dhe për të dalë në lirim. I propozuar dhe investuar për Ministër të Punëve të Brendshme, ai është kundërshtuar për këtë post nga gjykimi institucional i presidencës. Shkak ka qenë sepse si Gjeneral-Brigade, ai, ka fituar një gjyq ndaj një vendimi të marrë ndaj tij për ta nxjerrë në lirim. Pa u futur në hallkat dhe kthinat e ligjit dhe sidomos interpretimet e vështira, pyetja që lind është e thjeshtë: A ia vlen të heqësh dorë nga një gradë e lartë ushtarake, thjesht për një post të lartë civil, që pavarësisht ngarkesës dhe momentit historik që i referohet mëtuesi ministror, shpesh del i kotë. Rasti i Saimir Tahirit, që tani po provon pafajësinë dhe pasardhësit të tij Fatmir Xhafa, që pati rezultate të dukshme dhe të vlerësuara në këtë dikaster, por që u largua pa dhënë asnjë shpjegim, tregojnë se një fat jo i largët pret këdo që militon atje. Me pak fjalë, karriera ushtarake dhe dedikimi i saj mbart ndere shumë më të larta sesa gjykimi që i atribuohet kësaj ministrie.

Presidenti Ilir Meta e ka dekretuar pa shumë sforcim nxjerrjen në lirim të Gjeneral Sandër Lleshit nga grada Gjeneral Brigade, kërkesë të cilën z. Lleshi ia kishte drejtuar pak ditë më parë kreut të shtetit. Për fat të keq edhe në vetë historinë e tij, problemi është se politika tregon që është e ndërfutur shumë te ushtria dhe ka ndikuar që ajo të ketë një fizionomi, realisht të varur nga interesat politikë. Rastet janë të pafundme dhe gradimi i shumë personazheve e ka treguar më së miri këtë fakt. Në orët në vazhdim, mbase Ilir Meta do të dekretojë dhe qenien e tij si Ministër, por është e tepruar që ushtria të trajtohet kështu. Qenia si këshilltar politik i kryeministrit do të mjaftonte të gjendej një arsye dhe kleçka e duhur që Lleshi të ishte ministër, ashtu si ia lejon tagri presidentit dhe madje edhe me tagrin e gradës së tij. Por, presidenti Meta, duke manovruar e ka zgjatur dhe stërholluar justifkimin duke lënë topin në fushën e kryeministrit.

***

Shqipëria e ka vuajtur shumë problematikën e gradave në sistemin e Forcave të Armatosura dhe ato të Policisë. Pa asnjë mëdyshje, ato lidhen me paradoksin e viteve të Komunizmit dhe sidomos kohën e gjatë në paqe të Shqipërisë që nënkupton mos pjesëmarrjen në aksione të vërteta luftarake.

Për ta bërë dhe më keq mendoi sistemi komunist, i cili hoqi gradat duke nënvleftësuar me këtë rast kontributin e jashtëzakonshëm të shumë ushtarakëve që kishin luftuar në terren duke drejtuar formacione në L2B, ndërsa u soll nga politikanët modeli kinez duke e njëjtësuar hierarkinë ushtarake për t’u manipuluar më lehtë prej tyre. Nënshtrimi i ushtrisë pas ekzekutimit fatal dhe largimit të shumë oficerëve bëri që uniforma e ushtrisë shqiptare të humbiste krejtësisht kredibilitetin e saj. Dhe, nuk mbaron këtu sepse fatkeqësia më e madhe ndodhi kur ato u rivendosën në sistemin demokratik.

Futja e Shqipërisë në një sistem të ri ekonomiko-shoqëror, mungesa e një përballje të vërtetë ushtarake bëri që domosdoshmëria e futjes së gradave të përkonte me futjen sërish të politikës. Ajo mori përsipër reformën, kurse njerëzit më patetikë me këtë rast u ofruan të realizonin këtë reformë, që rezultoi e mangët. Falë konjukturave historike, bashkëpunimit dhe rrugës institucionale, sot Shqipëria është pjesë e NATO-s, ku kriteri i gradimeve duhej të mbetej vjetërsia dhe arsimimi. Por, kjo logjikë nuk u respektua që në fillimet e veta, ku dikasteret e Mbrojtjes dhe Rendit do të përballeshin me metamorfoza të frikshme. Asokohe, veç faturës financiare një pjesë e madhe e ushtarakëve kërkonin një status të pamerituar, që politika e ushqeu me nderet për militantët e vetë. Sot është e pamundur, qoftë edhe sikur të jesh pjesë e ushtrisë, të mbash mënd listën e gjeneralëve shqiptarë post ‘90, që i kushtojnë tani shtetit në buxhetin e vetë dhe që e kanë tepruar në sensin e masës. Sipas një logjike të arsyeshme, gradacioni duhej të vinte sistematikisht dhe duhej bërë në çdo pesë vjet, një gjë e cila nuk u respektua kurrsesi. Pasi sipas kësaj, duke iu referuar një shkrimi të zotit Robert Përmeti do të duheshin plot 32 vjet shërbim ushtarak.. “që respektivisht i përket një moshe rreth mbi 50 vjeçare si ushtarak. Por të mos harrojmë që kemi gjeneralë me tre yje që duhej të kishin të paktën rreth 40 vjet shërbim ushtarak për tu bërë gjeneral leitnant apo gjeneral me tre yje. Gjeneralët në fjalë nuk ka qenë as 41 vjeç kur ka marrë yllin e tretë, kështu i bije që gradën toger ta ketë marrë në klasë të parë apo të dytë fillore”, citojmë atë.

Me pak fjalë, me sistemin e gradave tek ne është abuzuar kaq shumë dhe kjo lidhet ndoshta edhe me faktin se Institucioni i Presidencës vepron thjesht me dekretimet për gradat madhore dhe jo gradat e larta që janë ato të majorit, Nën/kolonel dhe kolonelit etj., për të cilat vendos dikasteri politik. Politikës duhet t’i pritet rruga me gradat, sepse ato kanë fryrë jashtëzakonisht buxhetet, që rëndojnë sidomos mbi pensionet e oficerëve të varfër që mbesin të harruar dhe që ishin e janë në bazë, ndryshe prej atyre të drejtuesve kryesorë që janë në qendër.

Kjo të bën përshtypje, kur mendon sesa lehtë mund të kërkosh lirimin, për një post civil, që shumë shpejt mund të rezultojë një hiç dhe që mbi supet e tua të rëndojë një faturë e dhimbshme, zgjidhje e oreksit politik.

Me kushtet e sotme dhe me inflacionin e gradës gjeneral të individëve që kanë kontribuar shumë pak dhe mbi të gjitha s’kanë parë një aksion luftarak në jetën e tyre e beson se posti i ministrit është më i mirë sepse të afron në pjesën e pushtetit dhe të pozicionon në anën e qeverisë, që të duhet për të ardhmen. Kurse grada e gjeneralit në Shqipëri është një staturë tagri që pothuaj nuk tregon asgjë, të paktën me trajtimin dhe anonimatin që shoqëron shumë prej ushtarakëve. Dilema ministër apo gjeneral nuk është aq e vështirë sa duket, por dinjiteti i gradës është bash aq i vështirë, saqë mund ta kuptojnë vetëm ata oficerët e vjetër, që panë realisht luftën me sy dhe mbetën të mohuar nga të gjitha qeveritë shqiptare.  (Homos Albanicus-Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb