Në mandatin e dytë të PS nën drejtimin e Fatos Nanos, qeveria e atëhershme meqë nuk kish ç’ti bënte korrupsionit në dogana vendosi çmimet e referencës për mallrat e importit. Pra, meqë tregtarët e importit falsifikonin faturat e blerjes së mallrave dhe qeveria
dështonte në mbledhjen e të ardhurave, Fatos Nano i ra shkurt: vendosi çmime reference fikse pavarësisht se me çfarë çmimi bliheshin mallrat e importit. Kjo masë përtacie ndaj evazionit krijoi një deformim të madh në treg, pasi rriste artificialisht koston e mallrave që
bliheshin realisht me çmim të ulët dhe ulte artificialisht çmimet e mallrave që bliheshin shtrenjtë.

Shkurt, kjo masë absurde që erdhi prej paaftësisë së qeverisë e deformoi tregun dhe konkurencën e lirë në atë masë saqë shume tregtarë humbën pozitën në treg dhe të tjerë u rritën padrejtësisht. Por le të vijmë tek arsyeja pse na vjen ndërmënd “çmimi i referencës” së Nanos, një ditë pas gjetjes absurde të mbylljes së TikTok nga Rama. Sepse njësoj si Nano, Rama nga paaftësia për të adresuar çështjen e dhunës tek të të rinjtë dhe fëmijët, i bie shkurt. Ka gjetur Tik-Tok si sebep për të fshehur paaftësinë e tij dhe qeverisë që drejton. Por a është
vërtetë TikTok problemi dhe në ç’masë nëse po? Natyrisht që ka një lidhje mes platformave të rrjeteve sociale me videot me përmbajtje të pa filtruar dhe modelit të dhunës që thithin fëmijët si të paaftë që janë për të bërë zgjedhje morale dhe racionale. Tek e fundit janë fëmijë dhe nuk kemi çfarë presim tjetër.

“Truri i fëmijës është sfungjer” thuhet rëndom nga psikologët. Ndaj dhe ka një zgjidhje tjetër, filtrimi i videove me përmbajtje të dhunshme apo mesazhe të papërshtatshme në rrjetet sociale, deri në një moshë të caktuar. Deri kur të arrijnë pjekurinë emocionale për të bërë
dallimin e asaj cfarë është e mirë apo e keqe për vetë ata. Sepse TikTok dhe çdo platformë mediash sociale nuk kanë vetëm audiencë fëmijët por kryesisht të rriturit për arsye komunikimi apo dhe marketingu. Dhe asnjë qeveri demokratike nuk ka atributin për t’u hequr qytetarëve mundësinë për të komunikuar lirshëm apo për të reklamuar bizneset e tyre. E aq më keq, TikTok dhe media të tjera sociale tashmë janë dhe
konkurentë të medias tradicionale.

Ç’ka do të thotë që përfaqësojnë një mundësi për parti dhe njërëz publikë jashtë influencës së qeverisë për të komunikuar me njerëzit. Pra, një hapësirë e lirë komunikimi pa kaluar nga lejet e ndërtimit, tenderat, koncensionet ku një pjesë e pronarëve të medias është e përfshirë. Dhe mesa duket ky është shqetësimi i dytë i Ramës me TikTok përtej paaftësisë së tij për t’u përballur me dhunën tek të rinjtë dhe fëmijët. Me një gur vret dy zogj; mediokritetin e mazhorancës dhe konkurrencën politike.

Por shoqëria është shumë e madhe se qeveria e aq më shumë se Rama. E për më tepër shumë më inteligjente. Sepse njerëzit e kuptojnë që dhuna ka rritur prezencën e a saj mes të rinjve prej modelit të gangsterrit që sfidon përditë me makina të shtrenjta dhe prona miliona euroshe pa deklaruar burimin e të ardhurave siç bëjnë qytetarët që jetojnë me punë të ndershme.

Njerëzit kur shohin Ramën dhe Veliajn në koncerte reperash me tekste që levdojnë “mallin” dhe armët, e kuptojnë që këta që duan të mbyllin TikTok përfaqësojnë një model akoma më më të keq se ata që zihen gjoja se kush është më i forti. Dhe njerëzit nuk harrojnë që ata që mbollën Shqipërinë me hashash në vitet 2014-2016, nuk ishin kinezët e Tik-Tok por gangsterët që bënin vota për PS.

Shumë nga keto të vërteta të mëdha thuhen fortë nga kritikët e qeverisë pikërisht në TikTok që do të mbyllë Rama. E këto të vërteta po kthehen në vota kundër kësaj qeverie që nuk ka çfarë t’i japë më Shqipërisë përveçse lëmoshës për pensionistët, ndërkohë që 40 mijë socialistë marrin rrogën në çdo datë 1 për të bërë vota për PS në datë 11 maj! Rama mund të mbyllë TikTok por një është e sigurtë. Paaftësia e kësaj qeverie nuk fshihet dot pas censurës dhe rrugës së shkurtër që ka zgjedhur për t’u ikur dështimeve të saj, që nga dhuna tek fëmijët e deri tek djegia e qindra miliona eurove investime nga buxheti i shtetit prej frikës nga SPAK.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb