Dy motrat ishin dhunuar dhe torturuar nga forcat serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë. Atyre u ishin prerë e vënë në zjarr edhe gjymtyrët.
Me njërën këmbë, Flutura përkund mbesën e saj në djep, teksa pi një kafe. Por, as zëri i mbesës nuk i sjell buzëqeshje fytyrës së 45-vjeçares, që s’e heq dot nga mendja vitin 1999.
Njëzet e pesë vjet më parë, Flutura e kishte hapur e lumtur derën e shtëpisë për të pritur në vizitë motrën e saj, Fitoren. Por, pak kohë më vonë, atyre iu shkuan edhe disa vizitorë të padëshiruar.
Dy motrat ishin dhunuar dhe torturuar nga forcat serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë. Atyre u ishin prerë e vënë në zjarr edhe gjymtyrët.
Si gjurmë të përjetimeve të luftës, dy motrat mbajnë sot shenja në trup dhe mendje.
Të ulura pranë njëra-tjetrës, sërish në shtëpinë e Fluturës, ato tregojnë problemet shëndetësore që i kanë.
Dhimbje koke, dhimbje lukthi, probleme në ecje…
Probleme me tension të gjakut, dhimbje në shpinë, probleme të ndryshme gjinekologjike…
“Mjekët më kanë thënë që krejt problemet që i kam, më vijnë prej nervave, prej trurit. Është krejt shkaku i mendimeve të mia. Krejt natën veç mendoj”, thotë Flutura për Radion Evropa e Lirë.
Flutura thotë se, para luftës, nuk kishte pasur ndonjë problem shëndetësor dhe nuk kishte vizituar kurrë mjekë. Por, pas luftës, për të ndryshoi shumëçka.
Plagët që ia shkaktuan dhunuesit, ia bënë të vështirë ecjen. Por, Flutura refuzon të përdorë karrocë. Ajo nuk i pi as ilaçet kur ka mysafirë në shtëpi. Gjithçka e bën të frikësohet se sekreti i saj do të zbulohet nga njerëzit përreth në fshatin e saj të vogël.
“Më duket që krejt po e dinë, që krejt po e marrin vesh. As te mjeku s’kam qejf të shkoj. Edhe pse s’iu tregoj mjekëve çka më ka ndodhur, frikësohem se do ta marrin vesh”, thotë Flutura.
Edhe pse e mban sekretin, Flutura sërish kërkon ndihmë nga të tjerët. Ajo pyet njerëzit përreth se si arrijnë t’i heshtin mendimet e këqija, si arrijnë të flenë natën kur janë të stresuar, si arrijnë të…
Në Kosovë besohet se ishin dhunuar 20 mijë persona gjatë luftës. Një studim i publikuar në shtator nga organizata Medica Gjakova tregon se vetëm 6.5 për qind e të mbijetuarve jetojnë pa probleme shëndetësore.
Për problemet e shkaktuara nga dhuna, pothuajse të gjithë kanë vizita të rregullta mjekësore. Gjysma e të mbijetuarve detyrohen të shkojnë edhe në kontrolle të rregullta gjinekologjike.
Gjatë një vizite, një mjek e kishte pyetur Fluturën për një shenjë të mbetur nga prerjet që i ishin shkaktuar dhe Flutura ende beson se, në atë moment, mjeku e kishte zbuluar se ajo ishte dhunuar.
“Ai nuk më tha gjë. Po, ti s’e di qysh është për ne. Gjithmonë tentoj t’i fsheh shenjat, s’dua të më pyesë askush për to”, thotë ajo.
Përveç frikës nga zbulimi i sekretit, të cilin e dinë vetëm motrat dhe partnerët e tyre, ditët e Fluturës vështirësohen nga gjërat e shumta që ia kthejnë traumat në mendje.
Kur mysafirë në shtëpinë e saj kishin përmendur rrezikun e nisjes së një lufte në Kosovë – pas sulmit në Banjskë – Flutura kishte dalë e shqetësuar nga shtëpia dhe ishte fshehur nën llastikun që mbulon perimet e mbjella në oborrin e saj.
Kur një fëmijë i lagjes kishte gjuajtur me gurë drejt shtëpisë së Fluturës, zhurma e kishte bërë Fluturën të ngrinte në vend në korridorin e shtëpisë, para se të alivanosej.
“Gjërat që ndodhin tani, i harroj menjëherë. Por, gjërat prej së kaluarës, ato s’harrohen kurrë. Me ato do të vdes. Po të mundja, veç ta ndalja mendjen, të mos mendoja hiç”, thotë Flutura.
Nganjëherë, kur dikush më bën muhabet të mirë, harroj për 5-6 minuta.
Por, pastaj më kthehet sërish. Këtë s’po e kuptoj. Pse po më kthehen ato mendime? Qysh t’ia bëj për t’i larguar?, pyetet ajo.
Flutura dhe motra e saj e kanë statusin e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, që do të thotë se çdo muaj i marrin nga 230 euro ndihma në formë pensioni.
Por, pensioni konsiderohet i pamjaftueshëm nga organizatat joqeveritare vendore.
Flutura dhe Fitorja tregojnë se paratë nuk u dalin për t’i mbuluar shpenzimet e kontrolleve mjekësore dhe të ilaçeve që marrin.
Por, edhe sikur t’i kishin të gjitha paratë e botës, Flutura thotë se ato s’do të ishin të kënaqura.
“Besomë, po betohem në Zot, edhe po ta kisha këtë dhomë të mbushur me para, s’më duhen gjë. Para prej tepihut deri në tavan… asgjë s’ka rëndësi. Ju s’mund ta kuptoni se qysh është [jeta] për ne… Të zgjohesh çdo natë prej gjumit prej të bërtiturave tua”, thotë Flutura.
Sa herë që faqet e Fluturës përshkohen nga lotët, ajo ndal së foluri. Sytë i fokuson në distancë dhe qëndron në heshtje, deri kur motra e saj i afrohet dhe e përqafon.
Të përqafuara, ato qajnë së bashku teksa tregojnë se të dyja kanë tentuar disa herë t’i japin fund jetës.
“Jemi lodhur, jemi ligështuar. Më mirë të mos ishim fare”, thotë Fitorja. Por, që 25 vjet, forcën për të vazhduar e kanë gjetur vetëm te njëra-tjetra.
E, përveç problemeve të shumta shëndetësore, të mbijetuarit e dhunës seksuale kanë edhe probleme të shumta psikologjike. Frika nga diskriminimi, izolimi e përqeshja bën që shumica e të mbijetuarve të mos i tregojnë përjetimet e tyre.
Që gjashtë vjet, institucionet shtetërore ftojnë të mbijetuarit të aplikojnë për njohje të statusit si të mbijetuar që të përfitojnë një pension mujor. Por, deri në dhjetor të vitit 2023, këtë status e kishin marrë më pak se 2.000 persona.
Kur Flutura e Fitorja dëgjojnë se ka edhe gra të tjera që kanë përjetuar dhunë gjatë luftës, ato befasohen.
“A po e sheh, motër? Nuk jemi vetëm ne. A po thua ti që ka edhe të tjera si ne? Sa janë?… Në një anë, po më dhimben. Por, në anën tjetër, po them, a po e sheh, s’qenkemi vetëm ne…”, thotë Fitorja.
Flutura përsërit disa herë se do të donte shumë që atë ditë të 1999-tës të kishte qenë e vetme, të mos i kishte shkuar Fitorja për vizitë.
Problemet e Fluturës shtohen nga ndjenja e fajit që s’arriti ta mbronte motrën.
“Gjithmonë më shkon në mendje… Po të mos kishte ndodhur ajo, unë s’do të isha sot kështu”, thotë Flutura.
Shumica e rasteve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë ndodhën mes marsit dhe qershorit të vitit 1999, kur NATO-ja bombardoi caqet ushtarake të ish-Jugosllavisë. Histori të ngjashme me Fluturën dhe Fitoren kanë përjetuar shumë gra dhe burra kudo nëpër Kosovë. Të izoluar, shumë prej tyre nuk punojnë dhe jetojnë në kushte të vështira financiare.
Radio Evropa e Lirë ka raportuar disa herë për historitë e tyre: si janë përjashtuar nga familjet, si janë gjykuar nga shoqëria, si nuk kanë gjetur mbështetje tek askush e as forcë brenda vetes për ta treguar historinë e tyre publikisht. Për këtë arsye, emrat e të mbijetuarve janë emra fiktivë të vendosur nga redaksia e REL-it, për t’ua ruajtur identitetin të mbijetuarve./REL/