Pavarësisht debateve në lidhje me procedurën, Elsa Toska e Fjona Papajorgji janë votuar në Kuvend me shumicë votash si anëtare të Gjykatës Kushtetuese. Nga 115 deputetë të pranishëm, 105 u shprehën pro plotësimit të vakancave nga Toska e Papajorgji.

Para votimit kryeparlamentari Ruci sqaroi se Këshilli i Legjislacionit e ka konsideruar Kushtetuese procedurën e ndjekur, ndaj edhe vijoi me procesin e votimit.


“Për transparencë sot jemi në seancë që e kemi zhvendosur nga e enjtja në të hënë, kjo për të plotësuar afatin 30 ditor që detyron Kuvendin të shprehet lidhur me kandidaturat që KED i ka cuar Kuvendit.


Deputetët janë vënë në dijeni të qëndrimit të Presidentit, lidhur me këtë i jap drejtuar KED-së, e cila i është përgjigjur kërkesës me arsyetimet përkatëse, dhe konkludon se kandidatja e parë automatikisht është e zgjedhur anëtare. Duke patur parasysh që kishte vlerësime politike dhe proceduariale i jam drejtuar këshillit legjislacionit që është i vetmi mekanizëm që ka Kuvendi, që jep mendimin për kushtetuetshëmërinë. Këshilli ka konkluduar se duke parë propozimet e KED etj, dhe procedurën që do të votojmë ka arritur në konkluzionin që është tërësisht kushtetuese.


Në listën e KED ishin renditur:  Arta Vorpsi, Elsa Toska, Besnik Muci, ky i fundit i dekretuar nga Presidenti.

Nga lista e paraqitur nga KED, Arta Vorpsi rezulton të jetë shpallur emëruar për vendin vakant, pas plotësimit të afatit 30 ditor, dhe në mungesë të ushtrimit të dekretimit, është botuar në fletore zyrtare. Kandidati i tretë gjithashtu i botuar në fletore zyrtare, me dekret të presidentit.” tha Ruci.

“105 vota pro, 2 kundër, 0 abstenim. Nuk kanë votuar 2 deputetë. Elsa Toska shpallet fituese për anëtare të Gjykatës Kushtetuese pas votimit të Kuvendit.” -u shpreh kryeparlamentari në përfundim të procesit të votimit.

Ndërkohë kandidatja tjetër në listë Fjona Papajorgji, u votua me 105 pro, 3 kundër, 8 abstenim, ndërsa 2 deputetë nuk morën pjesë në votim.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb