Protesta e mbrëmshme e opozitës u shqua për një element që i kishte munguar veprimit opozitar në të gjitha protestat që nga 16 shkurti i këtij viti: mungesën e dhunës. Ndryshe nga sa e mendonin drejtuesit e opozitës, dhuna ishte ajo që e dobësonte, në vend që ta forconte përpjekjen e tyre në rrugë. Dhuna ndoshta karikoi militantët. Por ajo nuk i ndolli njerëzit, as i bëri të shtonin përkrahjen e tyre për veprimet e opozitës. Në të kundërt, i largoi me dhjetëra mijëra të pakënaqur nga qeverisja e sotme, duke mos mbushur radhët e opozitës në rrugë. Ja përse opozita u detyrua t’i kalonte protestat e fundit natën, kur nuk duket qartë numri në rënie i protestuesve. Dhuna e bëri opozitën të papërfillshme në kauzën e saj nga partnerët ndërkombëtarë. Dhuna solli shqetësim publik dhe shoqëror për gjasat e përshkallëzimit të saj. Bllokimet e akseve kryesore rrugore në vend acaruan me dhjetëra mijëra drejtues automjetesh e qytetarë që udhëtonin. Protestat me dhunë kanë shkaktuar dëme që deri tani llogariten jo më pak se 90 milionë euro në pronotime më të pakta në turizëm, në kredi të rrudhur për këto katër muajt e parë të vitit dhe në konsum më të dobët, për shkak të tensionit politik të krijuar. Dhuna zbehte çdo kumt që opozita dërgonte nëpërmjet fjalimeve të saj. Por mbrëmë ishte ndryshe. Mbrëmë gjithçka ishte ngjyrosur me fisnikërinë e një proteste pa dhunë. Për habinë e shumëkujt që priste molotovët dhe shashkat e radhës.

Urojmë që kjo të ketë forcuar ndjenjën e protestës paqësore të opozitës reale të votuar të vendit. Do të jenë ditë shumë të gjata të fundmajit dhe fillimqershorit këto dy javë. Protesta pa dhunë e djeshme, ku në shesh spikaste, krahas flamujve amerikanë dhe të BE-së, edhe flamuri gjerman(ishin përfaqësues të partisë Kristian Demokrate të Germanisë-CDU që pak ditë më parë artikuluan idenë se mund edhe të shtyheshin zgjedhjet vendore) ishte një kumt për Perëndimin. Për partnerët ndërkombëtare që të sillnin misionet e tyre në Tiranë, për gjetjen e një zgjidhjeje me opozitën që i ka braktisur molotovët, shashkat dhe kazanët e djegur. A do ta bëjnë ata këtë gjë? Në 16 maj 2017, dy vjet më parë, në Tiranë erdhën gjashtë anëtarë të Kongresit Amerikan, të Dhomës së Përfaqësuesve, me në krye drejtuesin e Komisionit për Çështjet e Jashtme. Nuk kishte ndodhur më parë në 26 vjet demokraci. Parlamenti Evropian dhe Komisioni i Bashkimit Evropian sollën emisarë të shumtë, që propozuan paketat Mekalister dhe Mekalister Plus. Po pse kaq protagonizëm perëndimor dy vjet më parë dhe tani pothuajse heshtje? Sepse opozita jonë e mbyllur në çadër nuk kishte kauzë të mirëfilltë në maj 2017, por kishte frymë opozitare. Pra, me qindra mijëra njerëz që e ndiqnin dhe që besonin në ndryshimin që mund të sillte ajo. Sot kemi një opozitë me një kauzë(sidomos të formuluar në fjalimet e fundit të drejtuesit të opozitës) për reformimin e sistemit tonë zgjedhor dhe përpjekjet për moskapjen e shtetit, sikurse ka ndodhur jo rrallë deri tani. Mirëpo edhe pse e ka një kauzë, opozita jonë e vetëmërguar nga parlamenti, nuk ka besimin e një pjese të mirë të qytetarëve(do të mjaftonte të kishte edhe besimin e 40 për qind të popullsisë, sikurse dukej se e kishte në maj 2017).

Opozita jonë sot nuk ka frymë opozitare. Nuk besohet gjerësisht mes njerëzve, për kauzën e saj. Kjo është arsyeja kryesore pse Perëndimi, partnerët tanë ndërkombëtarë nuk e mbështesin dot. Mirëpo nga ana tjetër, ata kuptojnë më mirë se të gjithë ne këtu, se zgjedhje vendore pa pjesëmarrjen e opozitës reale të vendit janë një precedent i rrezikshëm për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Prandaj dhe kërkojnë, nëpërmjet deputetëve gjermanë, që të ketë një reflektim nga pozita për mundësitë(sado të pakta të jenë ato) të shtyrjes së zgjedhjeve. Për t’i dhënë shansin opozitës së vetëmërguar të hyjë në to, nëse shtyhen për muajt shtator-tetor të këtij viti. Kushtetuta është një organizëm i gjallë, ndryshe nga sa mendohet se është një grumbull rregullash që nuk ndryshojnë me kohën. Kushtetuta më e vjetër e botës, ajo amerikane e vitit 1787, në 232 vitet e zbatimit të saj është ndryshuar mbi 200 herë! Për të realizuar shtyrjen e zgjedhjeve tek ne mjafton të ndryshohet kodi zgjedhor. Mjafton për këtë mirëkuptimi i shumicës dhe bashkëpunimi me surogatot e opozitës së mbetur në Kuvend(duke përjashtuar dy superdeputetët e opozitës së votuar që patën kurajon e jashtëzakonshme t’i binden vullnetit të tyre dhe jo urdhrit të kryetarit të partisë). Kodi zgjedhor ndryshohet dhe ekziston pastaj mundësia që opozita e votuar nga qytetarët e vendit tonë të mund të garojë në zgjedhjet vendore. Dhe demokracia tek ne të kthehet në instrumentet dhe shinat e zakonshme për një demokraci. Kryepyetja është: a do ta pranojë pozita e sotme këtë zgjidhje të propozuar nga ndërkombëtarët, tani që opozita duket sikur i braktisi molotovët dhe dhunën?/Gsh.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb