Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali tha sot në një videomesazh të publikuar në “Facebook”, se Basha ka vendosur të dalë në rrugë pikërisht në kohën kur Shqipëria pret përgjigje për hapjen e negociatave, për të prodhuar foto-lajme në mediet ndërkombëtare mbi Shqipërinë e zhytur në të zezë.


Mesazhi i Spiropalit:


Opozita ka vendosur të shtyjë për në mesin e tetorit nisjen e protestave masive, ndërsa do të përgatisë dy platforma alternative për reformën zgjedhore dhe reformën në drejtësi”, deklaroi mbreme Lulzim Basha! Shume domethënëse kjo frazë, për këdo që akoma nuk e ka kuptuar apo besuar se ku fle lepuri qe prodhoi gjithë zallamahinë e gjysmës së parë të vitit! E para, frika nga çelja e negociatave dhe perpjekja ekstreme për shkatërrimin e imazhit të Shqipërisë!


Ja, fare e qartë, në mes të tetorit kur në fakt të gjithë duhet të bënin avokatin e Shqipërise ne prag te vendimmarrjes së Këshillit Europian me 18 tetor, Lulzim Basha do të dalë përsëri në rrugë për të prodhuar foto e lajme në mediat ndërkombëtare mbi Shqipërinë e zhytur në të zeza që nuk meriton asgjë! Drejtësia, e dyta dhe në fakt e thella arsye e dukshme qe ka krijuar lepurin ne barkun e opozites, është po ashtu në frazën koncentrat që shpjegon edhe për ata qe s’kanë sy për të parë e vesh për të degjuar se ku fle lepuri!

Platformë për të reformuar drejtësinë thotë zoti Lulzim, ndërkohë që tërë bota thotë vini në jetë platformen tashmë të miratuar e të dakordësuar me tërë botën. Jo negociatave sepse me negociatat nis edhe presioni pozitiv i BE-së për të dhënë provën se sistemi i ri ka nisur të funksonojë, duke hetuar e ndëshkuar zyrtaret e lartë dhe politikanët e përzier në zullume; jo platformës ekzistuese mbi të cilën po ngrihet sistemi i ri që rrit përditë lepurin në barkun e opozitës! Asgjë nuk duket se ka kuptuar e mesuar akoma kryetari i PD nga humbja katastrofike dhe rrënimi dramatik që i solli partisë më të madhe të opozitës me verbërine e mëndjelehtësinë e tij proverbiale!

Por le të shpresojmë që drita e arsyes do të ndizet edhe në koken e tij dhe së paku në grupin udhëheqës të asaj partie, për të miren e të gjithëve. Ne s’bëjmë asnjë hap mbrapa dhe nuk njohim asnjë platformë alternative për Reformën ne Drejtësi, kështu që do të jetë mund i harxhuar kot ajo platformë se do të mbetet në sirtarin e ëndrrave me sy hapur të Lulzim Bashës.

Ndërkohë po, jemi gati të ulemi për Reformen Zgjedhore dhe të kthejmë në ligj rekomandimet e raporteve të fundit të OSBE/ODHIRit, as më shumë as më pak. Është e drejta e kryetarit të PD te ëndërrojë përmbysje të bazës ligjore të zgjedhjeve, por kjo përsëri do të mbetet një ëndërr në sirtar.

Ne nuk kemi kohë dhe as predispozitë për të humbur kohë me fantazitë e atyre që duan të bëjnë çorap çdo gjë, sepse nuk fitojnë dot zgjedhjet. Por kemi të gjithë predispoziten të hapim një Dialog konstruktiv dhe të bashkëpunojmë me të gjithë, përfshirë edhe Lulzim Bashën, për të reformuar bazën ligjore të zgjedhjeve. Viti 2021 nuk është larg, prandaj le të shpresojmë që Lulzim Basha dhe PD do ta lënë të shkuarën për t’u marrë me të ardhmen.

(BalkanWeb)