Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se synimi i tij dhe i qeverisë është t’i japin fund trajtimit të Shqipërisë si një vend të dorës së dytë dhe ta bëjnë atë të barabartë me qytetarët e Bashkimit Europian.

Në një fjalim të mbajtur sot në sheshin Skënderbej në çeljen e fushatës së PS, Rama theksoi se Shqipëria ka bërë përparime të dukshme gjatë mandatit të tij, duke përmendur reformat që kanë sjellë zhvillim konkret, siç është krijimi i një sistemi të drejtësisë të pavarur.

Sipas kryeministrit, ndryshimi do të jetë i dukshëm deri në vitin 2030, ndërsa ftoi shqiptarët që të bëjnë zgjedhjen mes një të ardhmeje europiane dhe të kaluarës së mbetur në “kënetën” e opozitës.

Ai theksoi se 11 maji është momenti kyç për të vendosur nëse Shqipëria do të përparojë drejt Bashkimit Europian apo do të ngelet e bllokuar në një situatë të pasigurt.

“Duam t’i japim fund historisë së një populli të mbetur padrejtësisht si një vend i dorës së dytë e t’i dorëzojmë pasaportën nuk ka dallim me qytetarët e BE.

Shqipëria sot nuk është gjëkundi njëlloj me atë që ishte me atë kur morëm detyrën. Vetëm në kënetën e opozitës dhe mediave rreth saj, situata qenka me keq se ç’ishte kur ne morëm detyrën. Por Shqipëria sot nuk do të jetë gjëkund krahasuar me atë të 2030. Mbase edhe këneta do të jetë tharë deri atëherë. Por kjo është e vetmja gjë që e ka në dorë pakica e jo shumica e shqiptarëve. Na familjen e BE askush nuk vë në pikëpyetje barazinë para ligjit, të cilët ne e kemi sjellë për herë të parë si zhvillim konkret real në jetën shqiptare. Kurrë s’ka pasur kurrë drejtësi të pavarur.

Qysh nga 1912 dhe deri pak vite më parë nuk ka pasur asnjëherë në asnjë individ të veshur me pushtet politik që të jetë hetuar apo gjykuar nga prokurorë apo gjykatës të pavarur  prej qeverisë. Por ama barazinë para ligjit populli shqiptar nuk mund ta lërë në dorë të qeverive dhe të parëve të qeverisë këtu, por duhet ta marrë vetë në dorë duke filluar nga 11 maji, ku zgjedhja nuk është mes disa partive, por mes Shqipërisë 2030 në BE dhe Shqipërisë drejt e në gropë, përsëri. Me ne, ose me Kënetën Madhështore dhe me shitësat e qilimave fluturues të pazarit rreth saj që kanë edhe ca emra qesharakë jo bëhet, jo nuk bëhet, jo mundet, jo nuk mundet, jo tërrci, jo vërci. Vetëm Shqipëria 2030 në BE e blindon përfundimisht pa asnjë mundësi prapakthimi themelin e barazisë para ligjit që PS pati kurajon ta hedhë dhe deri ateherë, deri kur ne ta fusim zonjën Shqipëri në sallonin e madh kryesor të shtëpisë Europiane, vetëm shqiptarët e bashkuar me mua këtu mund të mbrojnë drejtësinë e re nga çdo orvajtje destruktive e Kënetës”, u shpreh Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb