“Më Përfytyrohesh” dhe “Fshesarja e Republikës” janë dy librat e rinj të shkrimtares Anisa Markarian, e cila ishte e ftuar në emisionin “Kjo Javë” të gazetares Nisida Tufa në News24. Duke folur për përmbledhjen me tregime “Më Përfytyrohesh”, Markarian tha se në kopertinë është portreti i saj, i vitit 1989, kur ishte 27 vjeç, i realizuar nga Vangjush Koça, një piktor dhe mik shumë i mirë.
“Ishte mbesa ime, ajo që portretin ia përshtati frymës së tregimit”, u shpreh Markarian, duke shtuar se “tregimi është nga përvoja ime, kur kam rigjetur njerëz që i kisha humbur prej kohësh, sepse u larguam nga Shqipëria dhe i kam takuar pas 20 apo 25 vitesh, me një kontrast mes imazhit të personit dhe atij që unë kisha ruajtur”.
“Një nga tematikat është vetmia, ne në Shqipëri ishim të mbrojtur nga vetmia, pasi familjet ishin shumë të bashkuar. Në Shqipërinë e pas viteve ’90, vetmia u bë edhe në Shqipëri, një problem për shumë njerëz.
Tashmë vetmia është një problem global. ‘Fija e Dasmave” tregon pikërisht këtë, e kam kujtim nga rinia ime, janë këto persona që nëse ka një dasëm, në lagje, vijnë edhe të paftuar, sepse në të njëjtën kohë krijojnë edhe një rreth familjar, dhe në të njëjtën kohë edhe një gëzim.
Kjo është Fija e Dasmave, janë persona që askush nuk i njeh, askush nuk i ka ftuar, dhe për të luftuar kundër një lloj vetmie, vijnë dhe futen në gëzimin e tjetrit, sepse kanë nevojë të jenë të rrethuar.
Ndërsa Kaliopi nga lloha e sipërme është ajo që kemi jetuar ne, ndarja e familjeve nga koha e diktaturës, ndarja e njerëzve për shkak të politikës”, shprehet Markarian.
Ndërsa në kopertinën e librit “Fshesarja e Republikës” është një sorkadhe, qafëhollë dhe sygështenjë, që përfaqëson jo vetëm vezulloren, por edhe të ëmën e saj dhe gratë e tjera.
“E kam shkruar në përfytyrimet e mia, personi që më ka rritur që është teta Ita, një personazh që e kam shkruar shumë te “Shtëpia te Selvia” më rrëfente përralla me magji me qenie mbinatyrore dhe tek unë përfytyrimi i çdo vajze të vogël, kafsha e pyllit ishte sorkadhja, me atë brishtësinë e saj, elegancën, shpejtësinë kur vraponte. Dhe çuditërisht i njëjti përfytyrim më ka ardhur kur kam parë për herë të parë një tablo të Frida Kalos që quhet “dreri i plagosur” dhe aty kuptova që sorkadhja e vogël është rritur dhe ka pësuar edhe ajo vështirësitë e jetës”, rrëfeu Markarian.
E pyetur nëse ishte ose jo rastësi që dy librat dolën nga shtypi njëkohësisht, Markarian tha se “e vendosën librat që të vijnë njëkohësisht, pasi momenti që kam shkruar tregimin e parë, romani ishte në 1/3 e parë të tij, ku ndodhin disa gjëra shumë tronditëse dhe unë desha t’i largohem pak, dhe doja të bëja një pauz, pasi kisha frikë se mund të më kalonin disa detaje pa i parë ose pa i zhvilluar”.
Për të marrë veten nga historia tronditëse e romanit, tha Markarian, vendosa të shkruaj një tregim të lehtë, të shkurtër dhe ai është “Biçaku magjik”, që është përplasja mes traditës arkitekturore dhe shfytyrimit urbanistik.
“Fshesarja e Republikës dhe 15 ditë prilli janë romane me shumë personazhe, që të dy janë me ngjarje shumë tronditëse, me një ritëm që mezi që arrin të marrësh frymë, por ka një dallim: kemi përplasjen e individit me regjimin, politikën, me ata që i drejtojnë.
Nëse 15 ditë prilli ishte trysnia e 15 ditëve drejt përmbysjes së një regjimi, këtu jemi në kohën kur ka filluar demokracia, është një demokraci e brishtë, por ka ende mbeturina të një regjimi të dikurshëm dhe është një popull që nuk di të zgjedhë, sikundër nuk di akoma të forcojë, të ruajë të shenjtë demokracinë e tij, është një demokraci që po i vidhet.
Është korrupsioni, një temë shumë e fortë në librin “Fshesarja e Republikës”, sikundër janë edhe historitë femërore të personazheve.
Që të dy librat, ajo që dominon janë personazhet e forta femërore”, tha Markarian.
(BalkanWeb)