“Mua më shqetëson identiteti im, më shqetëson qenia që i përkas këtij vendi, më shqetëson shqiptaria, shqiptarët, ka plot gjëra që nuk i pëlqej, që do të thotë se do të jem një vëzhgues”.
Kështu u shpreh Enkel Demi në emisionin “Kjo Javë” në News24, kur u pyet se çfarë e shqetëson si gazetar, ndërsa në studio foli mbi romanin “Tom Kuka – I rënë nga qielli”.
Demi tha se herë pas here përballet me shtyllën e turpit. “Kohët e fundit marrin fjalë të miat jashtë konteksit, i hedhin në faqet e këtyre nacionalistëve, më quajnë tradhtarë, por nuk i përjetoj as më ndikojnë, pasi vij nga njëlloj gazetarie ku kërcënimi ishte pjesë e kafes së mëngjesit”, tha Demi.
Shqiptarët, do të jenë gjithmonë në syrin tim, tha Demi, duke u shprehur se kur merret me ta, merret me veten e tij.
“Unë jam njeri që kam miq, kam miq prej vërteti në ambientin e gazetarisë, janë miqësi të konsoliduara. Unë nuk jetoj dot pa miq, shtëpia e ime është gjithmonë me njerëz. Zoti më ka bekuar që të kem gjithmonë njerëz afër, edhe pse nuk e meritoj nga sjelljet e mia”, tha me humor Demi.
Ai tha se gazetaria e ka ndihmuar në aspektin e vëzhgimit, ndërsa dëshira e të shkruarit rrjedh shumë më herët se gazetaria.
“Ka shkrimtarë shumë të mëdhenj në Botë që më parë kanë qenë gazetarë të shkëlqyer. Ka plot që i kanë ushtruar të dyja zejet”, tha Demi.
(BalkanWeb)