Një nga personazhet e njohura të botës së krimit, Durim Bami, i njohur ndryshe dhe si “i forti i Niklës” mësohet se ka bërë kërkesë autoriteteve në Dubai të mos ekstradohet në Shqipëri.

Gazetari Igli Çelmeta raportoi për “BalkanWeb” se Bami e ka bërë kërkesën për autoritetet e Abu Dhabit me justifikimin se i rrezikohet jeta. Bami ka pretenduar se në Shqipëri janë rreth 16 banda që tentojnë ta eliminojnë fizikisht dhe nëse sillet në Shqipëri rrezikon të ekzekutohet.

Ditën e djeshme Interpol i Emirateve të Bashkuara Arabe në Abu Dhabi ka konfirmuar arrestimin e Durim Bamit për të dytën herë, pasi ishte arrestuar më parë edhe në muajin qershor. Policia e Shtetit konfirmoi për News24 se Durim Bami është arrestuar për llogari të autoriteteve shqiptare.

Në vazhdim do të vendoset nëse Bamin do ta sjellin në Shqipëri, ndërsa policia shqiptare është në kontakt me homologët e Abu Dhabit.

Durim Bami është shpallur në kërkim nga SPAK në muajin maj, si i përfshirë në kultivimin e parcelave të drogës në zonën e Fushë-Krujës, sigurimin e kushteve për të vrarë ish-deputetin e PS në Lezhë, Arben Ndoka si dhe sigurimin e kushteve për të vrarë dy miqtë e Ervis Martinajt, Erigers Mihasin dhe Tori Xheçukën.

Bami, i njohur edhe si “i forti i Niklës” ishte shoqëruar më datë 21 tetor, ndërsa ka qenë me masën e mbikëqyrjes së vazhdueshme policore, që prej ndalimit të tij në qershor 2024. Bami është një nga personazhet që del edhe në komunikimet “Sky ECC” aleancat që ai ka krijuar apo është bërë pjesë në përplasjet që kanë pasuar mes grupeve kriminale.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb