Policia e Kosovës ka përfunduar me sukses operacionin njëjavor në kuadër të planit evropian ROADPOL 2025, i zhvilluar nga 7 deri më 13 prill 2025, me fokus të veçantë në kontrollin e shpejtësisë në trafikun rrugor. Gjatë kësaj periudhe, njësitë e trafikut kanë qenë të angazhuara në të gjitha rrugët e vendit për të rritur sigurinë rrugore dhe parandaluar aksidentet.
Si rezultat i këtij angazhimi, janë vendosur 2,272 pika kontrolli, janë kontrolluar 13,509 automjete dhe janë shqiptuar 6,873 gjoba për shkelje të ndryshme të rregullave të trafikut. Ndër shkeljet më të rënda është regjistruar një rast ku një automjet është kapur duke lëvizur me 241 km/h në një zonë me kufizim prej 100 km/h.
Ky aksion është pjesë e strategjisë së përbashkët me shtetet anëtare të Rrjetit Evropian të Policive Rrugore, që synon uljen e numrit të aksidenteve fatale dhe rritjen e vetëdijes te drejtuesit e automjeteve për respektimin e shpejtësisë së lejuar.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se kontrollet intensive do të vazhdojnë edhe në javët në vijim, me fokus të veçantë në zonat me rrezikshmëri të lartë në trafik.