“Kosova është prioritet kombëtar i Shqipërisë”. Kështu u shpreh kryeparlamentarja, Elisa Spiropali gjatë mbledhjes së përbashkët të dy kuvendeve në Prishtinë. Ajo përcolli mesazhe inkurajuese sa i takon bashkëpunimit mes dy vendeve. Duke theksuar se mes Shqipërisë dhe Kosovës nuk duhet të ketë dallime, Spiropali dha vetë shembullin e para kur theksoi se ajo vetë është me origjinë nga Labëria, por me zemër ndjehet nga Prishtina e Prizreni.
“Me origjinë jam nga Bregu i Labërisë, kam lindur ne Tiranë por me shtëpi zemre jam nga Prishtina e Prizreni! Jemi një gjak e një gjuhë, një histori e kulturë. Kënaqësi e pafund për këtë mbledhje mes dy Kuvendeve, por ka një problem, duhet të ishim më tepër. Me qindra mijëra e jemi pak. Duhet të takohemi të gjithë aq shqiptar sa ka bota. Nuk prish punë se nuk na nxë kjo sallë, na nxënë pllajat e fushat”. “Për të realizuar hiperbashkimin duhet të presim. Kur nuk kemi pulën hamë një shpend tjetër thotë populli, por edhe ky shpend qenka i shijshëm sot”, tha Spiropali.
“Në këtë moment historik si kurrë më parë shqiptarët kanë treguar vendosmëri në zhvillimin e shoqërisë. Vetëm 1 çerek shekulli ka mjaftuar të tregojmë se çfarë energjie sjell liria. Sot po ngremë në një nivel tjetër atë që etërit tanë e bënë me shumë mund e sakrifica. Kosova është prioritet kombëtar i Shqipërisë dhe e anasjellta. Suksesi i njërës, kusht për tjetrën. Ritmi i njërës kushtëzon edhe tjetrën”, deklaroi kryeparlamentarja.
(BalkanWeb)