E ndërsa vit pas viti numri i bebeve që vijnë në jetë po bie me shpejtësi, në 2018-ën numri i aborteve (ndërprerje e shtatzënisë) ka shënuar rritje për herë të parë pas 4 vitesh. Është rritur numri i tyre nga gratë me arsim të lartë, të cilat përbënin një të katërtën e rasteve të ndërprerjeve së shtatzënisë…

Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT dhe që janë të mbledhura nga Instituti i Shëndetit Publik, numri i aborteve në 2018 ishte 5,532, nga 5,279 që kishte qenë një vit më parë.
Prej 2014-s (shiko tabelën më poshtë), ku numri i aborteve u regjistrua 5,892, numri i tyre ka qenë në rënie, deri në vitin që lamë pas.
Nëse do të shikojmë përqindjen e aborteve sipas nivelit arsimor të gruas që e ka kryer atë, do të vëmë re se çereku i tyre janë me arsim universitar. 2018 shënoi një rritje të numrit të grave me arsim të lartë që kryejnë abort. Rënia e numrit të lindjeve, që ka sjellë dhe një rënie të treguesit të fertilitetit, por edhe rritja e numrit të aborteve, veçanërisht edhe te gratë me arsim të lartë, ndër të tjera është një tregues që gratë po rendin pas karrierës. Në vitin 2014, vetëm 15% e aborteve kryheshin nga gratë që ishin me arsim të lartë, ndërsa gati gjysma e tyre ishte nga gratë që kishin pak klasë shkollë.
Pamundësia ekonomike është një tjetër faktor që ka nxitur rënien e numrit të lindjeve, por edhe një nga arsyet kryesore që një grua merr vendimin për të ndërprerë një shtatzëni. Rreth 39.2% e grave që kryeson ndërprerjen e shtatzënisë në vitin 2018, ishin me arsim fillor, dhe rreth 31% e tyre me arsim të mesëm.

Më pak bebe po vijnë në jetë, Shqipëria po plaket me shpejtësi

Në krahasim me 2014-n, rreth 6800 bebe më pak kanë ardhur në jetë në vend në 2018-n. Popullsia e vendit po tkurret me një ritëm të shpejtë, ku gratë po zgjedhin të lindin më pak dhe familjet bërthamë po bëhen gjithnjë e më të vogla në numër. Numri i lindjeve në 2018-n sipas INSTAT ishte 28,934, nga 35,760 që ishte në 2014-n. /Monitor/

Abort 2
Abort 2
Abortet 1
Abortet 1

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: