BUDAPEST- Stacionet e trenave në Budapest janë mbushur me kosovarë. Nga aty, emigrantët marrin një biletë që të udhëtojnë drejt vendeve të tjera të BE-së.
Por, policia u ka rënë në gjurmë. Gjatë 24 orëve të fundit janë ndaluar më shumë se 1 mijë persona. Udhëtimi i gjatë dhe maltretimet e policisë kanë bërë që shumë kosovarë të kërkojnë kthimin në atdhe por ka edhe të tjerë që këmbëngulin në rrugën që e kanë nisë.

Stacioni i trenit në Budapest për çdo ditë mbushet me qindra emigrantë ilegalë nga Kosova. Në mesin e tyre ka shumë fëmijë, gra shtatzëna madje edhe persona me nevoja të veçanta. Vetëm gjatë ditës së sotme janë ndaluar nga policia hungareze më shumë se 1 mijë shtetas të Kosovës.

Televizioni publik ka takuar disa prej tyre në stacionet e trenit në Hungari, të cilët kanë treguar për vështirësitë e udhëtimit deri në Budapest.

E situata e tyre vështirësohet pasi që ata të hyjnë në Hungari. Qytetarët të cilët ndalohen nga policia kufitare, pasi të paraqesin kërkesën për azil urdhërohen të shkojnë në qendrat e azilkërkuesve, por ata nuk i përmbahen rregullave duke tentuar sërish të udhëtojnë në mënyrë ilegale drejt vendeve të tjera të BE-së.

Por edhe pas kësaj ata sërish përfundojnë në stacionet policore pasi masat e kontrollit në stacionet e trenit janë shtuar dukshëm nga policia hungareze, duke ua konfiskuar biletat e udhëtimit për linjat ndërkombëtare. Sipas policisë, qytetarët nuk duhet të refuzojnë të shkojnë në qendrat e azilkërkuesve për të tërhequr kërkesën për azil pasi nuk ekziston ndonjë formë tjetër ligjore për t`u kthyer në vendlindje.

E qytetarët të cilët nuk dëshirojnë të kthehen në qendrat e azilkërkuesve me ditë të tëra po sillen rrugëve të Budapestit duke i mbajtur fëmijët të uritur dhe në ambiente të ftohta, në pamundësi për të udhëtuar diku tjetër.

(ma.ar/express/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: