Autoritetet kolumbiane po përpiqen të frenojnë zjarret në perëndim dhe jug të vendit që kanë djegur më shumë se 90,000 hektarë bimësi dhe janë nxitur nga thatësira dhe temperaturat e larta.

Prefekturat e Tolima, Cudinamarca, Huila, Nariño, Cauca dhe Valle del Cauca janë prekur më shumë, sipas njoftimeve.

Të paktën 25 shpërthime zjarri ishin aktive dje të premten rreth mesditës, gjysma e tyre në prefekturën Tolima (perëndim), sipas njësisë kombëtare të menaxhimit të fatkeqësive dhe rrezikut.

Dy persona u plagosën në fshatin Nagataima, i cili u godit më shumë nga zjarret, pasi u shkatërruan një ujësjellës dhe shtëpi, sipas të njëjtit burim.

Temperatura në zonë ka kaluar 41 gradë Celsius, bëri të ditur shërbimi mjedisor i prefekturës.

Në provincën fqinje të Cundinamarca, jo shumë larg kryeqytetit të vendit, Bogota, rrugët u mbyllën dhe dhjetëra zjarrfikës po punojnë për të kontrolluar frontet me ndihmën e helikopterëve dhe forcave të armatosura.

Në prefekturën e Uila (jugperëndim), ku u shpall gjendja e fatkeqësisë të dielën, gjashtë komuna vijuan të preken nga zjarret.

Këto provinca përjetojnë “mungesë të reshjeve dhe një rritje të temperaturave” që në përgjithësi e bëjnë më të lehtë shpërthimin e zjarreve, shpjegoi Jisliane Etcheverry, drejtoresha e përgjithshme e Institutit të Hidrologjisë, Meteorologjisë dhe Studimeve Mjedisore të Kolumbisë (IDEAM).

Edhe vende të tjera të Amerikës Latine janë përballur me valë të nxehti dhe zjarre të përhapura në periudhën aktuale. Në Ekuador, më shumë se 230,000 hektarë tokë pyjore janë djegur nga 23 gushti deri më 18 shtator, ndërsa në Peru është shpallur gjendja e jashtëzakonshme në tre prefektura ku kanë ndodhur shpërthime të shumta zjarresh.

Brazili është shkatërruar nga një “pandemi zjarri”, siç tha një anëtar i Gjykatës së Lartë, me 61,572 shpërthime zjarri në 17 ditët e para të shtatorit, krahasuar me 46,498 në të gjithë muajin përkatës të 2023. Zjarret, shkak në shumicën e rasteve ka qenë zjarrvënia, sipas autoriteteve braziliane, goditi zonat kryesore të biodiversitetit, veçanërisht pyllin tropikal të Amazonës, ligatinat më të mëdha në botë, Cejando dhe Pantanal – madje edhe një park kombëtar në kryeqytetin Brasilia.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb