Eksperti i ekonomisë dhe njëkohësisht president i UET-së, Selami Xhepa, i ftuar në studion e emisionit “Open” në News24, foli në lidhje me listën e njerëzve më të pasur në botë, me në krye Elon Musk.
Sipas listës së njerëzve më të pasur në botë, Xhepa u shpreh se ajo çka vihet re është se burimet e pasurisë janë teknologjia dhe tregu, ndërsa shtoi se benefitet e revolucionit të parë industrial janë ndarë në mënyrë më simetrike, pasi ndikuan ndryshimet institucionale.
Ndër të tjera tha se kjo do të shfaqë rreziqe në demokraci.
“Përshtypja e parë është burimi i pasurisë, që janë teknologjitë e reja dhe tregu. Ky është elementi thelbësor që i dallon, procesi i krijimit. Shumë shpejt do kemi dhe trilionerin e parë, brenda një dekade ndoshta. Nëse në Shqipëri kemi miliarderë, burimi i pasurisë nuk është i drejtë. A ka rreziqe? Rreziqe ka serioze. Nëse flasim për teknologjinë në epoka të caktuar historike, pasuria nuk ndahet. Këta individët diktojnë trendin e ardhshëm. Ky është revolucioni i katërt industrial. Benefitet e revolucionit të parë industrial janë ndarë në mënyrë më simetrike, pasi ndikuan ndryshimet institucionale. Një tjetër rrezik është ai i demokracisë.”, tha ai.