NGA: Aleksandra Kola
Ka qenë një vit i çuditshëm për filmat në Hollywood ashtu siç ishte një vit i çuditshëm për Amerikën. Një sezon 12 mujor i shënuar nga ndarje historike dhe zemërim në Perëndim dhe më shumë histori të një cilësie të ndryshme, me trazira shoqërore që shfaqen në çdo gjë, që nga arena e politikës deri në sferën më të shenjtë të supozuar të sportit, 2017 ka lënë shumë persona të dëshpëruar ndaj fqinjëve të tyre. Revolta e gjërave të shëmtuara në prapaskenat e industrisë së kinemasë i ka hapur rrugë një spastrimi terapeutik dhe kulturor të përhapur në të gjithë botën. Dhe ndërsa lëvizja ‘Me too’ spastron industritë në fushat e ndryshme ekonomike nga lindja në perëndim, 2017 tashmë ofron një premtim për një të nesërme më të mirë. Këto janë disa nga filmat më të vlerësuar të këtij viti që na kujtojnë se prodhimet më të mira të kinemasë, pavarësisht nëse janë të financuar nga studiot e mëdha apo janë prodhuar në mënyrë të pavarur me një buxhet të vogël, gjithmonë do të kenë audiencën e tyre.

1. “The Post”
The post

The Post është epitoma e një filmi të madh por konvencional për sezonin e çmimeve në Hollywood. Regjisori i famshëm amerikan Steven Spielberg mban frymëzimin dhe stilin e tij nën kontroll ndërsa kasta e aktorëve janë të shkëlqyer. Për më tepër, ky është filmi i rrallë rreth gazetarisë që tregon se si funksionon gazetaria në të vërtetë. Ndoshta nuk është në lartësinë e filmave si “Spotlight” apo “The Insider” por pozicionohet menjëherë pas tyre. Lidhja e mbuluar shpirtërore e regjisorit Spielberg me ndërgjegjen kombëtare të amerikanëve përdor të kaluarën historike jo shumë të largët për të paraqitur një media nën kontrollin e një Shtëpie të Bardhë që arrin shumë larg. Regjisori legjendar ka gjetur një mënyrë për të lartësuar virtytin e pushtetit të shoqërisë dhe njëkohësisht për të krijuar një dramë tepër tërheqëse e cila aktualisht mund të hiqet nga titujt e gazetave. Nuk ka asnjë superfuqi apo skena me dyluftime në filmin “The Post”, por skena ku aktori i njohur Tom Hanks dhe legjenda e Hollywood-it Meryl Streep në rolin e drejtueses së gazetës Washington Post, merr vendimin për të publikuar një raport për Dokumentet e Pentagonit, është një nga skenat më të jashtëzakonshme të këtij viti.

2. “Dunkirk”
Dunkirk

Me filmin “Dunkirk” regjisori i famshëm britanik Christopher Nolan arriti të realizonte një tregim panoramik të jashtëzakonshëm të ngjarjes historike që sugjeroi në fillim se Hitleri do vazhdonte pa pengesa drejt fitores së Luftës së Dytë Botërore. Vërtetësia dhe fizikaliteti në filmin “Dunkirk” janë të jashtëzakonshme. Mënyra sesi Nolan tregoi historinë e tij në episode të fragmentuara në tokë, det dhe në qiell, pa përshkallëzim artificial, heroizëm ose emocion ishte surpriza më e madhe e “Dunkirk”. Është filmi i rrallë modern në të cilin dialogu nuk është shumë i nevojshëm, por pa humbur kuptimin e vërtetë apo fuqinë. Christopher Nolan i shikon ngjarjet historike të tregimit dramatik të evakuimit gjatë luftës së Dytë Botërore të Dunkirk, plazheve të Francës në vitin 1941 nga çdo kënd i mundshëm – toka, deti dhe qielli – dhe na paraqet një thriller aksion të jashtëzakonshëm dhe të mrekullueshëm të cilin do ta shikojmë të ndiqet si shembull në dekadat e ardhshme.

3. “Call Me by Your Name”
Call me by your name 2
Filmi “Call Me By Your Name” është një nga romancat më të mëdha të kohës sonë, një portretizim autentik dhe shumë prekës i një marrëdhënie gay që me sa duket do eklipsojë historinë e “Moonlight”, filmit fitues të çmimit Oscar të 2017. Një film shumë i vlerësuar nga kritika, që nga performanca e shkëlqyer e dy aktorëve protagonistë Armie Hammer dhe Timothée Chalamet, të cilët krijojnë një kimi të jashtëzakonshme deri tek kolona zanore klasike dhe pop. Historia e tyre dashurisë, e cila zhvillohet pothuajse e gjitha në një fshat në Itali, është e larguar nga çështjet e perceptimit dhe kontekstit shoqëror dhe politik për t’u fokusuar thjesht në dy qeniet njerëzore brenda saj, Oliverin dhe Elion, dhe romancës së tyre të bukur por të rrezikshme.

4. “The Shape of Water”
The Shape of Water
Regjisori Guillermo del Toro ishte pa dyshim prezenca më e dukshme regjisoriale në festivalin e sezonit të vjeshtës dhe filmi i bukur që solli me vete ”The Shape of Water” është një nga filmat më të diskutuar dhe të vlerësuar të vitit. Filmi ka një protagoniste memece në sfondin e Luftës së Ftohtë dhe një krijesë ujore që ka njolla në lëkurën e saj që ndriçojnë si një hartë e univesit. Është gjithashtu një histori dashurie. Ndoshta është filmi më ambicioz i regjisorit të njohur sepse kombinon shumë elementë, plus një narrativë të një komunikimi jo verbal. Si i tillë është një arritje e madhe pasi “The Shape of Water” jo vetëm që zbavit si një përrallë e shkëlqyer por gjithashtu përforcon një besim në njerëzimin e vendosur në një kohë kur toleranca për racat e tjera, kombësitë dhe dashuria për vlerat jo familjare ishte e paqëndrueshme. Ky është më në fund një film tjetër ku gjenia e pakufizuar e regjisorit Del Toro shoqërohet nga finesa më të cilin ai tregon obsesionet e tij.

5. ” Good Time”
Good Time
Një nga performancat më të mira të vitit vjen nga aktori britanik Robert Pattinson në filmin “Good Time”, drama më e fundit e rrugëve të qytetit të New Yorkut nga regjisorët e rinj, vëllezërit Ben dhe Josh Safdie. Në këtë thriller tronditës, Pattinson luan rolin e Connit, një gangster i nivelit të ulët nga getoja që e gjen veten në një kërkim të dëshpëruar për të gjetur paratë për të paguar garancinë për vëllain e tij, pasi një grabitje banke shkon keq dhe bashkëpunëtori i tij – vëllai i tij me probleme mendore Nick- arrestohet dhe përfundon në burgun Rikers Island. Vëllezërit Safdie kanë krijuar një performancë brilante me Pattinson që udhëheq këtë thriller emocionues. Marrëdhënia shkatërruese mes dy vëllezërve në “Good Time” gjithashtu është shumë kryesore për historinë që paraqet filmi.

6. “The Disaster Artist”
The Disaster Artist
Filmi “The Disaster Artist” ishte një projekt pasioni për aktorin/regjisorin James Franko, i cili luan rolin e Tommy Wiseau, figura misterioze pas filmit famëkeq “The Room”. Pavarësisht se është i bazuar në filmin më të keq të të gjitha kohërave, Franco arrin të paraqesë anën njerëzore dhe pasionin e Wiseau, i cili ishte shumë i vendosur për të bërë filmin e tij në Hollywood. Me krijime të përpikta të skenave kryesore nga filmi origjinal “The Room” dhe sidomos me shfaqjen e vetë Wiseau në film, “The Disaster Artist” ishte një nga filmat më të preferuar kult të këtij viti.

7. “Lady Bird”
Lady Bird
Me filmin ”Brooklyn” të dy viteve më parë, aktorja irlandeze Saorsie Ronan u radhit në listën e aktoreve më të mira të brezit të saj; me filmin “Lady Bird” ajo rikthehet përsëri në atë pozicion të shkëlqyer. Në dramën autobiografike të skenaristes / regjizores Greta Gerwig, Ronan luan rolin e Christine “Lady Bird” McPherson, një nxënëse në vitin e fundit në një shkollë katolike që pret me padurim të arratiset nga mjedisi i mërzitshëm i klasës së ulët së Sacramentos për në jetën e kolegjit në Bregun Lindor. E vendosur në 2002, historia e saj është një romancë me uljet dhe ngritjet e saj, me aktorët Lucas Hedges dhe Timothée Chalamet në rolet e admiruesve të saj, si dhe tensionin familjar që shfaqet më shumë në marrëdhënien e saj të ngurtë me nënën e saj tejkanjoze. Skenari i Greta Gerwig ka një sens të mprehtë të kohës, vendit dhe trazirës emocionale të protagonistes së tij, përpjekjet e të cilës për të paraqitur një identitet të matur janë në mënyrë shumë origjinale të ngatërruara. Një kastë aktorësh jo protagonistë, duke përfshirë Tracy Letts dhe Lois Smith, e perforcojnë më tepër këtë tregim, megjithëse pjesa më e madhe i takon aktores protagoniste Ronan, e cila është e parezistueshme me portretizimin e ashpër dhe qesharak të Lady Bird.

8. “Phantom Thread”
Phantom thread
Nuk është surprizë që bashkëpunimi i dytë i aktorit të famshëm Daniel Day-Lewis me regjisorin Paul Thomas Anderson është një triumf, por kjo gjë e nuk përjashton filmin “Phantom Thread” nga pritshmëritë përmbytëse. Një psikodramë magjepsëse dhe ngazëlluese e vendosur në botën e modës së lartë në Londrën e viteve ’50, bashkëpunimi më i fundit i tyre paraqet Daniel Day-Lewis në rolin e Reynolds Woodcock, një rrobaqepës i njohur i cili jeton një rutinë të përditshme artistike. Një rutinë e tillë përmbyset nga marrëdhënia e tij me një kamariere, Almën, e cila shumë shpejt bëhet modelja dhe partnerja e tij në një shtëpi të ku jeton edhe motra e tij pragmatike Cyril. I shoqëruar nga një kolonë zanore klasike e Jonny Greenwood, filmi i regjisorit Anderson është mahnitës ndërsa performanca e protagonistit kryesor si zakonisht është hipnotizuese. Paraqitja në film e ndërveprimit të fuqisë romantike dhe dëshirës e cila zhvillohet në mënyra të paparashikueshme dhe komplekse është gjithashtu shumë magjepsëse.

9. “The Killing of a Sacred Deer”
The Killing of a Sacred Deer
Aktori i njohur irlandez Colin Farrell dhe regjisori i filmit “The Lobster” Yorgos Lanthimos, bashkohen përsëri për një tjetër kritikë sociale në filmin “The Killing of a Sacred Deer’, një komedi e zezë mjerimi, të qeshurat e të cilës vijnë nga çmenduria e subjektit të tij. Filmi tregon historinë e një kirurgu karizmatik, Steven, të luajtur nga Colin Farrell, jeta familjare e të cilit me gruan e tij Anën dhe dy fëmijët e tyre kthehet përmbys nga shoqëria e tij e çuditshme me adoleshentin Martin, me të cilin ai takohet fshehtazi për arsye që nuk janë shumë të qarta në fillim të filmit. Zbulimet që më në fund materializohen janë të një natyre të papritur dhe të pashpjegueshme, duke ekspozuar alegorinë e një përralle rreth krimit dhe ndëshkimit, si dhe çmimin që paguan dikush që refuzon të marrë përgjegjësinë për veprimet e tij. Me një kastë aktorësh të mrekullueshëm, Colin Farrell, Nicole Kidman dhe Barry Keoghan, filmi paraqet zgjedhjet e vështira dhe sakrificat e jashtëzakonshme që dikush duhet të bëjë pasi jeta e tij fillon të shkatërrohet.

10. Blade Runner 2049
Blade Runner 2049
Vazhdimi i shumë pritur i “Blade Runner”, filmit klasik të regjisorit Ridley Scott, mund të ketë ardhur 35 vite pas origjinalit por “Blade Runner 2049” është një kryevepër vizuale, me regjisorin kanadez Denis Villeneuve që jo vetëm mban stilin e paraardhësit të tij por vazhdon misterin e tij dhe zgjeron qëllimin e kësaj të ardhme dystopiane përtej një Los Angelosi të errët dhe të zymtë. Ashtu si paraardhësi i tij, ky është një film jashtëzakonisht i bukur, i cili duhet të shihet në ekranin e madh. Në çdo mënyrë të mundshme është më i mirë se origjinali, shumë më investigues dhe i sofistikuar dhe me performanca të mrekullueshme nga aktorët protagonistë Ryan Gosling dhe Harrison Ford si dhe ata mbështetës Dave Bautista, Jared Leto dhe Ana de Armas. Nëse kinematografi legjendar Roger Deakins, i cili është nominuar 13 herë për çmimin Oscar, nuk e merr trofenë këtë vit, Akademia më mirë të heqë kategorinë për kinematografinë më të mirë. Regjisori Denis Villeneuve krijoi skenat vizuale më mahnitëse në këtë film për të cilin do flitet edhe në dekadat e ardhshme.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb