Bledi Shkëmbi nuk i ndahet formacionit me tre sulmues. Në mungesë të tre lojtarëve në repartin e avancuar, ai do të aktivizojë Bajroviçin e harruar në stol. Kjo do të thotë se me disa mungesa para Teutës, bardheblutë do të përballen me durrsakët me një formacion ndryshe.
Në portë do të jetë Selmani. Në mbrojtje dihet që është treshja Kola, Dembele dhe Mici. Në mesfushë dhe sulm do të jenë problemet e mëdha. Nga krahët janë Vera e Përgjoni, ndërsa në mes do të aktivizohen Soler dhe Rafael. Sulmi do të jetë i përbërë nga Bajroviç, Zharmuni dhe Ndreca. Ky i fundit ishte ai që u dha pikën bardhebluve në sfidën me Skënderbeun. Tirana është në një emergjencë të vërtetë lojtarësh. Veç Metës, Ismajlit, Abahut, Ernestit, të cilët janë të dëmtuar, listës i shtohet edhe Prengaj.
Dhe nuk ka mbaruar ende. Kjo, sepse në takimin me Teutën do të mungojë edhe Smaçi. Lojtari ka plotësuar numrin katër të kartonëve të verdhë dhe nuk do të jetë në këtë lojë me Teutën. Nga ana tjetër, me këtë situatë, trajneri Bledi Shkëmbi duhet të shohë se cilët do të hedhë në fushën e lojës. Gjatë këtyre ditëve është provuar edhe Marku në mesfushë, por vendimi nuk është marrë përfundimisht. Bajroviç është titullari i sfidës.
PËRBALLJET – Tirana do të luajë me Teutën këtë javë të 35-të, por këtë kampionat ajo nuk e njeh shijen e fitores. Edhe pse skuadrat janë përballur tri herë në kampionat, bardheblutë, veç një barazimi në “Arena Kombëtare”, kanë shijuar dy herë humbjen. Madje, edhe me përmbysje ndaj bardhebluve. Tirana duhet të fitojë të paktën një herë ndaj Teutës në këtë kampionat.
PANORAMASPORT.AL