Tre të dhëna përbëjnë një fakt, fakt është që Armando Broja nuk bën më pjesë në planet e Fulham. Për herë të tretë radhazi, trajneri Marco Silva e dërgoi në tribunë duke mos e përfshirë në grupin e lojtarëve për sfidën kundër Nottingham, e humbur në fund me rezultatin 3-1. Është shumë e vështirë që situata rreth sulmuesit kuqezi të ndryshojë deri në fund të sezonit, duke shtuar dhimbjet e kokës për trajnerin Sylvinho.
Pas testit kundër Suedisë, Sylvinho e bëri të qartë se me Brojën në formacion Shqipëria ka një pikë referimi në majën e sulmit. Shqetësues është fakti që në këtë formë, Broja rrezikon të dalë jashtë forme, në një kohë kur u rikthye nga një dëmtim i rëndë që e mbajti 10 muaj larg fushës së lojës. Broja u transferua te Fulham për të pasur më shumë minuta, por po rezulton krejtësisht e kundërta. Marco Silva, trajneri aktual i Fulham, ishte promotori kryesor i transferimit të Brojës në pjesën tjetër të Londrës, por me sa duket gjërat nuk shkuan ashtu si trajneri shpresonte, ndërsa mediat flasin për një përplasje ndërmjet tyre:
“Më vjen keq, pasi unë isha njeriu kryesor që shtyva klubin të merrte Brojën, e doja edhe gjatë verës kur shitëm Mitrovic. Unë e vlerësoj shumë Brojën, por unë luaj me një sulmues, një tjetër qëndron në stol. Kur ke një sulmues si Muniz që shënon gola bëhet e vështirë. Ka qenë e vështirë edhe për Brojën”, u shpreh Silva, duke mos preferuar të flas në fund për të ardhmen e sulmuesit kuqezi pasi ai është në pronësi të Chelsea-t.
(BalkanWeb)