TIRANE – Shumë shpesh siguria në rrugë trajtohet si një problem transporti e jo si një çështje e shëndetit publik. Çdo ditë me mijëra njerëz aksidentohen, duke udhëtuar në rrugët e gjithë botës, disa mbeten të dëmtuar rëndë, e disa të tjerë humbasin jetën. Shifrat e kohëve të fundit janë alarmuese, edhe më alarmuese janë tendencat. Cdo viktimë aksidenti ka një rrjet familjarësh e miqsh të cilët preken në mënyrë të drejtpërdrejtë, qoftë emocionalisht, qoftë financiarisht. Andaj vëmendja duhet të jetë shumë e madhe, duke tentuar parandalimin.


Një histori aksidenti me pasojë vdekjen u trajtua sot në emisionin “Me zemër të hapur” në “Neës24”. Fatbardha Kacerri, së bashku me motrat dhe vëllezërit e saj, janë ende nën shok për shkak të vdekjes së papritur të babait të tyre 75-vjeçar. Më 24 shtator, teksa kthehej në shtëpi, një makinë ka kaluar me shpejtësi dhe e ka përplasur duke e lënë të shtrirë në rrugë pa jete. Ka qenë i biri, i cili e ka çuar në spital duke mos e besuar dot faktin që i ati nuk jetonte më. Përveç dhimbjes që përjetojnë dilema se kush e bëri po i mundon çdo ditë e më shumë.


Vajza e viktimës Fatbardha Kacerri deklaroi se makinën vishnjë që aksidentoi babain e saj e panë banorët e zonës kur kaloi me shpejtësi në fshat. Sipas saj, automjeti ngjyrë vishnje ka kaluar nëpër fshat. Ne i kemi bërë verifikimet tona por nuk duam të të vëmë gisht.


Ndërkohë policia vazhdon të thotë se po bëjnë verifikime, por familjarët dyshojnë dhe nuk besojnë se do të zbardhet e vërteta. Apeli i tyre u shkon insitucioneve në mënyrë që të gjendet sa me parë autori, të vihet përpara drejtësisë e të mos jenë të detyruar që atë që nuk bën shteti, ta bëjnë familjarisht.
“Nuk kemi pasur kurrë hasmëri me askënd”- shprehen ata.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb