Çermen Valijevi nga Osetia e Veriut dhe Islam Dudajevi nga Dagestani i dhanë Republikës së Shqipërisë dy medaljet e para olimpike. Dy mundësit vijnë nga Kaukazi i sunduar prej Rusisë, një regjion me traditë të fortë në mundje, e që për shkak të përjashtimit të Rusisë nga eventet olimpike, “eksporton” mundës cilësorë në shumë vende të botës, madje edhe te fqinjët tanë ballkanikë. Duhet t’i falënderojmë Çermenin e Islamin si dhe profesorët e trajnerët e tyre nga Kaukazi i largët, që me punën e djersën e tyre ngritën lart jo vetëm emrin e vet, por edhe flamurin shqiptar.

Dikush mund të ketë rezerva, por s’ka pse të ketë. Po të dilni shëtitje në qendër të Tiranës apo nga parku i Liqenit fundjavave, do të shihni shumë beba që shëtitën me karrocë apo pa karrocë nga shërbyeset dhe dadot filipinase. A nuk janë me fat ata fëmijë që rrinë me dikë që përkujdeset mirë për ta, e a nuk do të ishin pa fat po të rrinin me dikë që siç duket as në fundjavë nuk ka dhe aq kohë për fëmijën e vet? Mund të ngjallë ndjenja konfliktuale, mirëpo në afatgjatë historitë tregojnë se toka i mbetet atij që e punon, fëmija i mbetet atij që e rrit, flamuri i mbetet atij që e nderon. Jo atij që mburret se “është i imi”. Nejse

Mediat me cektësi wikipediane u referohen sportistëve si “rusë”. Kjo do të thotë të mos dish asgjë për Kaukazin e për popujt e atjeshëm, pra as për medalistët tanë. A nuk është ofendim për këta që na dhanë medaljet e para, të jesh gazetar e të mos kesh minimumim e kuriozitetit se nga vijnë, bij të cilëve popuj janë, ç’rrethana i nxorën këtej? Tani i bien edhe më shkurt, u thonë “çeçenë”. Pra myslimanë nga Kaukazi. Por atje ka edhe Ingushë, Kumikë, Osetë, Tatarë etj. A është Valijevi, i lindur në Osetinë Veriore, alan? Apo çeçen, që ka vuajtur nga konflikti oseto-çeçen? Dudajevi i lindur në Dagestan, a ka lidhje me heroin e lëvizjes çeçene për pavarësi, Xhohar Dudajevin? Apo mos ka ndonjë lidhje familjare me Vlladisllav Surkovin (Asllambek Dudajev), njërin nga njerëzit më të fuqishëm në hije pas Putinit? Emri i babës së Islamit medalist paska qenë i njëjtë me ish kryetarin e bashkisë së Groznit, kolonel Lechi Dudayev, i vrarë nga rusët në Luftën e Dytë Çeçeno-Ruse.

Kaukazi është i ngjashëm me Ballkanin për nga shumëngjyrësia etnike po edhe për nga vuajtjet, që shkak primar kanë pasur politikën homogjenizuese e gjenocidale, atje në Kaukaz të filluar nga Rusia, ndërsa këtu në Ballkan të filluar nga nxënësit e Rusisë, po në shekullin XIX. Ndër popujt e parë të spastruar nga bajonetat ruse, ishin çerkezët. Të mbijetuarit u arratisën drejt Perandorisë Osmane, që i shpërndau kudo, nga Bosnja e sotme e deri në Izrael. Kudo janë integruar përgjithësisht mirë e paqësisht. Do prej tyre u vendosën edhe në trojet shqiptare, pasardhësit e tyre sot flasin shqip e nuk dallohen nga ne. Edhe mundësit tanë, po të vendosin të rrojnë edhe më tej në Shqipëri, pas ca brezash do kenë pasardhës me mbiemra Dudaj dhe Veliaj. Nejse.

Ironitë e historisë ndonjëherë dhembin fort. Ja njëra sosh:

Shqiptari i parë etnik me medalje ari në olimpiadë, ka qenë pikërisht mundës. Emrin e ka pasë Shaban Tërstena, shkupjan. Medalje ari për Jugosllavinë, në Los Anxheles në 1984, medalje argjendi në Tokio në 1988. Me profesorë e trajnerë etnikë shqiptarë, dhe i rritur në traditën e mundjes folklorike shqiptare. A s’është fat i keq që me gjithë traditën folklorike e knowhow-in që kanë trajnerët si Shaban Tërstena, Shqipëria megjithatë i importon mundësit?

Shabani ende është aktiv, ashtu si shumë ish-mundës të tjerë cilësorë. Ai e të tjerët si ai do të mund të bëheshin një “Toni Kuka” i dytë, po të kishte investuar Shqipëria në trajnerë, turne, palestra e shkolla të mundjes për fshatra e qyteza në Peshkopi e Kukës, po pse jo edhe në rrethet e tjera. Patjetër, bashkë me trajnerët shqiptarë etnikë si Tërstena, të vinin edhe shqiptarët e rinj si Dudajevi e Valijevi për t’ua përcjellë teknikat e mundjes së lirë fëmijëve shqiptarë. Mbetemi me shpresë se një gjë e tillë do të ndodhë, në një të ardhme ndryshe e me politikanë që e duan popullin e vet.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: