Gazeta Washington Post shkruan se ankesa e një informatori të fshehtë të shërbimeve të zbulimit përfshin Presidentin Donald Trump dhe Ukrainën.

Duke përmendur dy ish-zyrtarë amerikanë që kanë dijeni mbi çështjen gazeta raporton se zoti Trump i ka bërë një “premtim” një udhëheqësi të huaj, që me sa duket është Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskiy.

Të dy presidentët kanë patur një bisedë telefonike dy javë e gjysmë përpara se informatori të paraqiste ankesën më 12 gusht tek Inspektori i Përgjithshëm i Komunitetit të Zbulimit Michael Atkinson.

Zakonisht çështjet shqetësuese dhe urgjente që konsiderohen të besueshme duhet t’i përcillen komisioneve të mbikëqyrjes së Kongresit, por sipas korrespodencës së bërë publike të enjten, drejtori në detyrë i Zbulimit Kombëtar Joseph Maguire, e kishte ndaluar zotin Atkinson ta bënte këtë gjë.

Komisioni i Zbulimit i Dhomës së Përfaqësuesve zhvilloi të enjten një seancë tre-orëshe me dyer të mbyllura me Inspektorin e Përgjithshëm për të diskutuar çështjen. Pas kësaj, kryetari i komisionit Adam Schiff u tha gazetarëve se drejtori i përkohshëm i Zbulimit Kombëtar po ndërhynte në proces.

Në një koment Twitter, Presidenti Trump e cilësoi njoftimin si lajm të rremë, duke hedhur poshtë pretendimet se ai i kishte premtuar diçka një udhëheqësi të huaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb