Ndeshja mes ADO Den Hag dhe Skënderbeut dyshohet të ketë qenë e trukuar. Lajmin e bën të ditur media holandeze, e cila më së shumti i referohet një konstatimi të bërë nga Qendra Ndërkombëtare e Sigurisë për Sportin (ICSS).
Eksperti I kësaj të fundit ka deklaruar në “Nltimes.nl” se dyshohet se në Spanjë është një rrjet I organizuar, që merret posaçërisht me trukimin e ndeshjeve dhe se këtë here janë përfshirë në mënyrë të pavetëdijshme edhe dy skuadra holandeze.

Bëhet fjalë për ndeshjet ADO- Skënderbeu 2-0 dhe Standard Liezh-Herenven 4-0. Sipas ekspertit, ka pasur lëvizje të frikshme kuotimesh pak minuta përpara golave të shënuar nga ADO Den Hag. Eksperti i basteve thotë se në lojë janë edhe gjyqtarët.

Ja artikulli i plotë i publikuar dje nga “Nltimes.nl”: “Dy ndeshje miqësore të klubeve holandeze javën e shkuar në Spanjë mund të jenë trukuar, sipas analizës së një eksperti bastesh dhe Qendrës Ndërkombëtare të Sigurisë për Sportin (ICSS). Eksperti thekson se me shumë gjasa skuadrat e ADO Den Hagës dhe Herenvenit nuk kanë qenë të vetëdijshme për manipulimin e rezultateve. Një ish-eksperti bastesh të UEFA-s i është kërkuar nga gazeta holandeze ‘Volkskrant’ për të analizuar lëvizjet në koeficientet e basteve të ndeshjes së ADO kundër skuadrës shqiptare të Skënderbeut të Korçës”.

Deri në minutën e 67-të nuk është vënë re asnjë shenjë e pazakontë në monitorimin e kësaj ndeshjeje, e cila deri në këtë minutë ishte 0-0. Megjithatë, përpara se ADO të shënonte golat në minutën e 77-të dhe 83-të, gjërat ndryshuan në mënyrë të dukshme. “Përpara golave, koeficientet u rritën për golat e skuadrës holandeze. Kjo është pa dyshim një ndeshje e dyshimtë”, nënvizoi eksperti I basteve. Ndërsa ndeshja miqësore e Herenvenit kundër belgëve të Standard Liezhit përfundoi përpara kohe. Lojtarët e zemëruar të Herenvenit braktisën fushën, pasi arbitri spanjoll, Raul Nikolas Espejo, akordoi një penallti të katërt për skuadrën belge për arsye të paqarta. Në drejtim të klubit të Herenvenit mbërriti një email nga Federata Holandeze e Futbollit, KNVB, ku u kërkohej zyrtarëve të klubit për të përgatitur një deklaratë në lidhje me ndeshjen. “ICSS” konstaton se ka me dhjetëra miqësore të manipuluara nga një kartel bastes në Spanjën Jugore. Organizata dyshon që të ketë të paktën një kartel që punon në Spanjë për të trukuar ndeshje miqësore, thotë Havier Mena i “ICSS”-së. “Është një grup I mirorganizuar kriminal, I cili është shumë I sofistikuar”, shprehet ai.
Presidenti i Skënderbeut, Ardian Takaj, i ka konsideruar si absurde lajmet që vijnë nga mediat holandeze. I kontaktuar nga “Panorama Sport”, ai ka theksuar se ndeshja ka qenë më se korrekte dhe ai është i gatshëm për çdo hetim. “Ç’janë këto absurditete! Nuk e di se nga dalin të tilla lajme, por për sa më përket, di t’ju them se ndeshja u luajt në mënyrë korrekte. Nuk di se kujt i intereson një ndeshje e luajtur në majë të një mali. Ishte vetëm një miqësore, gati stërvitore, ndaj një skuadre modeste. Gjithsesi, le të hetojnë, pasi nuk kemi asgjë për të fshehur”, ka pohuar dje Takaj.

(d.b/PanoramaSport/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb