Operacioni tokësor izraelit në Libanin jugor pritet të zgjasë disa javë, tha sot media izraelite, transmeton Anadolu.
Ushtria izraelite tha herët sot se ka nisur operacione tokësore “të kufizuara dhe të synuara” në Libanin jugor.
Pavarësisht njoftimit të ushtrisë izraelite, nuk ka pasur asnjë shenjë të një pushtimi tokësor izraelit në territorin libanez.
Hezbollahu gjithashtu mohoi pretendimet izraelite se Tel Avivi ka dërguar forcat e tij tokësore në territorin libanez.
“Izraeli vlerëson se operacioni tokësor në Liban do të vazhdojë për disa javë dhe zyrtarët amerikanë u informuan për këtë ditët e fundit”, tha transmetuesi publik izraelit KAN.
Vëzhguesit besojnë se njoftimi izraelit për fillimin e një ofensive tokësore në Liban ishte pjesë e “luftës psikologjike dhe mediatike”.
Që nga 23 shtatori, Izraeli ka kryer sulme masive ajrore kundër atyre që i quan objektiva të Hezbollahut në gjithë Libanin, duke vrarë më shumë se 1.057 njerëz dhe duke plagosur mbi 2.950 të tjerë, sipas Ministrisë libaneze të Shëndetësisë.
Disa liderë të Hezbollahut janë vrarë nga sulmet, duke përfshirë liderin e saj Hassan Nasrallah.
Hezbollahu dhe Izraeli janë përfshirë në luftë ndërkufitare që nga fillimi i luftës së Izraelit në Gaza, e cila ka vrarë mbi 41.600 njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, pas një sulmi ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor të vitit të kaluar.
Komuniteti ndërkombëtar ka paralajmëruar se sulmet izraelite në Liban mund ta përshkallëzojnë konfliktin e Gazës në një luftë më të gjerë rajonale.