Grupi Shtatë (G7) është shndërruar në një “klub lufte” dhe nuk është më një klub i ekonomisë, ka raportuar media shtetërore e Koresë së Veriut, duke hedhur poshtë çdo referencë se blloku përfaqëson komunitetin ndërkombëtar, transmeton Anadolu.
Duke e quajtur G7-tën një “grup kontraktor lufte”, Agjencia Qendrore Koreane e Lajmeve (KCNA) tha se çdo “ndërhyrje” nga blloku në Gadishullin Korean do të nënkuptonte “zgjerimin ushtarak të NATO-s, aleancës globale të luftës”.
Në komentin e saj, media koreano-veriore reagoi ndaj një takimi të ministrave të mbrojtjes të G7-tës në Itali, i pari kë tij lloji, për të cilin Koreja e Veriut tha se ishte e “papërshtatshme” për misionin dhe detyrën e saj.
Ministrat e mbrojtjes të vendeve të G7-tës u takuan të shtunën në Itali, përderisa tensionet vazhdojnë të rriten në Lindjen e Mesme dhe lufta midis Rusisë dhe Ukrainës po vazhdon.
Takimi, ku morën pjesë ministrat e mbrojtjes nga SHBA-ja, Gjermania, Franca, Kanadaja, Mbretëria e Bashkuar, Italia dhe Japonia, si dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte dhe shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, nisi në Napoli të Italisë, qytet i cili gjithashtu posedon një bazë të NATO-s.
Megjithatë, KCNA akuzoi vendet perëndimore se “po punojnë shumë që flakët e luftës në Evropë të përhapen” në Azi duke pretenduar se siguria e dy kontinenteve është e “pandashme”.
Media koreano-veriore po ashtu akuzoi G7-tën për “nxitje” të konfrontimit ndër-kampor duke bërë “vërejtje të pamatura se korniza e sigurisë ndërkombëtare është zhytur në një rrezik më të madh nga shtetet e pavarura dhe sovrane, si Koreja e Veriut, Rusia dhe Kina”.