Nga ANILA JOLE*


GREQI – Mediat greke shkruajnë se kryeministri grek Aleksis Cipras do të propozojë për postin e presidentit të vendit, kryepeshkopin e Kishës Autoqefale shqiptare, hirësinë e tij Anastas. Sipas gazetës greke “To Vima”, ditët e fundit po bëhen negociata intensive që Kryepeshkopi Anastas të pranojë propozimin e Cipras për të qenë president i Greqisë.
Gazeta shkruan se kryepeshkopi i Shqipërisë është një person i veçantë, gëzon vlerësim të gjerë në Greqi, është një klerik i shquar i ortodoksisë, i cili do të japë një simbolikë të veçantë në zgjedhjet presidenciale dhe me siguri do të bashkojë vendin. Sipas kësaj gazete, është interesant fakti që Cipras nuk e ka vëmendjen te figurat thjesht politike, për postin presidencial. Ndërkaq zëdhënësi i qeverisë i tha gazetës “To Vima” se nuk ka asnjë diskutim të tillë në qeveri lidhur me emërimin e Kryepeshkopit Anastas si President i Republikës. Lidhur me këtë lajm gazeta kontaktoi edhe me kryepeshkopin e Shqipërisë i cili citohet të ketë thënë se “një hierark ortodoks ka mision të veçantë. Dhe nuk mund të marrë pozicione politike”.


(ar.sh/BalkanWeb)