Përveçse në Kosovë e Shqipëri, lajmi për dorëheqjen e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj ka marrë vëmendjen edhe të mediave të rajonit, evropiane dhe atyre botërore.

Përveç mediave prestigjioze si BBC, Bloomberg, Spiegel dhe të tjera, për këtë lajm ka raportuar edhe Euronews.

Sipas Euronews, kryeministri Haradinaj ka thënë të premten se ka dhënë dorëheqje, duke treguar edhe arsyen, e cila siç ka thënë ai, është ftesa nga Specialja, si i dyshuar.
Siç kujton kjp media, Gjykata e posaçme në Hagë u krijua në vitin 2015 dhe se Dhoma e specializuar financohet nga Bashkimi Evropian.

“Haradinaj tha se do të udhëtojë në Hagë javën e ardhshme. Kjo është hera e dytë që ai duhet të japë dorëheqjen si kryeministër”, thekson kjo media.

Veç këtyre, lidhur me këtë ka raportuar edhe media kroate Jutarnji.hr.
Sipas kësaj media, kryeministri i Kosovës ka dhënë dorëheqje. “Ramush Haradinaj shkon në Hagë si i dyshuar: ‘Nuk mund ta udhëheq vendin në këtë situatë’”, shkruan media kroate.

Gjithsesi, një lajm i tillë ka zënë vend edhe në mediat serbe. Dhe përveç njoftimit, mediat serbe kanë vënë në pah edhe deklarimin e Haradinajt rreth taksës ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

“…ai lexoi letrën e dorëheqjes, por tha se taksa që qeveria e tij ka vendosur në importet e mallrave nga Serbia dhe BeH do të mbetet në fuqi deri në njoftimin e mëtejshëm”, shkruan Blic.rs.

Haradinaj, ka dhënë dorëheqjen sot duke theksuar se këtë vendim e ka marrë pasi atij i ka ardhur një ftesë nga Gjykata Speciale.

Ai para mediave tha se dorëheqjen e ka dhënë për ta ruajtur nderin e Kosovës, dhe për t’u paraqitur në Gjykatën Speciale si qytetar i thjeshtë. Në vitin 2005 ai kishte dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit pasi që i ishte ngritur aktakuzë për krime lufte nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb