Mediat në Maqedoninë e Veriut zbardhin detaje të reja lidhur me arratisjen e ish-zv/kryeministrit Artan Grubi. Sipas “Fokus“, biznesmeni dhe Konsulli i Nderit i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Arsim Papraniku ka dhënë një deklaratë në polici se më 15 dhjetor ka dërguar me makinë ish-zëvendëskryeministrin Artan Grubi në Tiranë, ku kanë pirë kafe dhe e ka lënë në një hotel pranë stadiumit.

Por edhe disa anëtarë të qeverisë dhe disa institucione kanë informacione jozyrtare se Grubi po qëndron pranë detit Adriatik, mendohet në afërsi të Durrësit. Më saktësisht, sipas bashkëbiseduesve bëhet fjalë për fshatin turistik Hamallaj buzë bregdetit.

Pretendimet se Artan Grubi po fshihet në Shqipëri i ka përforcuar edhe zëvendëskryeministri i parë i RMV, Izet Mexhiti.

“Sipas informacioneve ai nuk ndodhet në Kosovë, është në Shqipëri. Por kjo nuk ka rëndësi, duke ikur ai provoi fajin dhe për këtë arsye u arratis jashtë vendit. Mendoj se sot, nesër apo pasnesër ai një ditë do të përballet me drejtësinë”, theksoi Mexhiti.

Artan Grubi u shpall non grata nga SHBA dy javë më parë për korruptim të gjyqtarëve lidhur me procesin ndaj ish-shefit të shërbimit informativ, Sasha Mijallkov.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb