Gazeta “Protothema” ka publikuar sot një artikull lidhur me sekuestrimin e 580 kg kokainë disa ditë më parë në portin e Pireut, një ngjarje e cila ka mbetur ende në mjegull dhe me informacion të cunguar pasi hetimet vijojnë intensivisht në sekret të plotë. Megjithatë, në shkrimin e sotëm, zbulohen detaje të reja mbi ngjarjen e bujshme.

“Të dhëna të tjera në rrugët ndërkombëtare të kokainës, krijoi zbulimi i 580 kg kokainë të pastër brenda 12 konteinerëve me banane në portin e Pireut. Shërbimet greke dhe të huaja po hetojnë seriozisht faktin që Greqia të jetë futur në shënjestrën e karteleve latino-amerikane, që të dërgojnë në portet greke ngarkesat me “zonjën e bardhë” që ajo më pas të shperndahet në Europë.

Një ngjarje që siç thonë drejtues të lartë të policisë, ka të bëjë me faktin që në 2018, policitë europiane sekustruan në portet e Belgjikës dhe Holandës, sasi të mëdha kokaine nga Ekuadori që i tejkalonin 50 tonët. Kështu, mafiozët, në bashkëpunim të ngushte me trafikantë të mëdhenj shqiptarë të kokainës, duke kërkuar për rrugë të reja, vunë Greqinë në kornizë, por sekuestrimi i qindra kilogramëve kokainë me vlerë miliona euro, u prishi planet.

Në të njëjtën orë, pas zbulimit të 580 kg kokainë dhe arrestimit të katër personave, policia, kufiri, dogana dhe anti-krimi ekonomik, kërkojnë pronarët e mëdhenj që fshihen pas sasisë së sekuestruar në portin e madh. Madje, fakti që dy konteinerë ikën nga Pireu në Durrës, kombinuar kjo me informacionin e ardhur në zyrat e drejtuesve të policisë, të çon në dyshimin se pas trafikut fshihen shqiptarë që jetojnë në Greqi.

Kur gushtin e kaluar, autoritetet greke zbuluan 52 kg kokainë në sektorin e ftohjes së një konteineri me banane në portin e Selanikut, u vendos që të hetohej më thellë çështja pasi “burimet” thonin se kjo sasi ishte pjesë e një sasie më të madhe që drejtohej për në Greqi. Duke ndjekur konteineret konkrete, kishin informacionin se sapo porositësit të merrnin bananet dhe konteinerët të shkonin në vend të kontrolluar, do shfaqeshin trafikantët që do nxirrnin kokainën nga sistemi i ftohjes. Por ditët kalonin, askush nuk u shfaq dhe policia vendosi ta nxirrte vetë drogën.

Në vazhdim nisën një hetim të thellë duke vendosur në mikroskop gjithë konteinerët që vinin në Pire duke përdorur kritere dhe filtra të veçantë që duheshin kontrolluar. Kështu pas skanimit, u arrit në 100 konteinerë të dyshuar, për të arritur në 12 që përmbanin 580 kg kokainë të pastër. 4 të arrestuarit, dmth shoferi i kamionit që do transportonte konteineret, agjentja doganore, drejtori i firmës së bananeve dhe importuesi i madh, u lanë të lirë.

Oficeret e policisë përpiqen të kuptojnë nëse kanë lidhje me çështjen apo kanë rënë viktima të kartelit, ndërkohë që paralelisht kërkojnë kokat e mëdha. Kërkimet e deritanishme treguan që më shumë mundësi pas çështjes fshihen mafiozë shqiptare që jetojnë në Greqi, por kontrollojnë gjithë lojën europiane të drogës dhe kane dërguar përfaqësues në Amerikën Latine, patriotë të tyre.

Sekuestrimet vitin e kaluar në Anverse dhe zbulimi në konteinere në total i 50 ton kokaine, bëri që karteli të kërkojë rrugë të reja që të sjellë kokainë në Europë. Informacionet thonë që në fillim baronët zgjodhën ishullin e Maltës dhe madje prillin e kaluar autoritetet zbuluan ne dy konteinerë me banane që erdhën nga Ekuadori, 144 kg kokainë të pastër. Kjo sasi do të përfundonte në Durrës të Shqipërisë dhe në Malin e Zi.

Sekuestrimi duket se i shqetësoi Escobarët shqiptarë që kërkonin rrugë të reja dhe kështu përfunduan në portin e Pireut dhe Selanikut. Por fakti që dhe aty autoritetet i kapën, normalisht do t’i bëjnë të ndryshojnë planet e tyre dhe të kërkojnë destinacione të reja.

 (d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb