Në Bruksel alarmi i terrorizmit mbetet në nivelin më të lartë pas bastisjes së policisë belge gjatë natës së mbrëmshme për të kapur Salah Abdeslam, i cili mundi të arratisej. Sot u ndaluan edhe 5 persona të tjerë përveç 16 të arrestuarve mbrëmë, duke e çuar numrin total të të ndaluarve në 21. Të arrestuarit janë të gjithë në një farë mënyre të lidhur me hetimin e ngjarjeve në Paris.

Kërcënimi mbetet “serioz dhe i pashmangshëm”, dhe kërkon që vendi të vijojë të jetë i blinduar. Teksa vazhdon të jetë ende i lirë terroristi Salah Abdelslam, mediat e huaja ironizojnë me faktin që raportohet se Salah shihet gjithkund, por nuk po kapet nga policia.

“Puna nuk ka mbaruar ende,” tha këtë mëngjes ministri i Punëve të Brendshme Jan Jambon. Sipas të dhënave nga mediat belge, Salah u pikas të dielën në bordin e një BMW-je që kalonte autostradën në kufi me Gjermaninë. Kjo makinë është gjetur dhe sekuestruar. por asnjë shenjë jete nga Salah.

Ndërkohë, edhe për t’i mundësuar policisë të vijojë kërkimin për terroristët, Brukseli mbetet i paralizuar. Shkolla, kopshte, universitetet dhe zyrat publike janë të mbyllura, si edhe metro nëntokësore dhe tramvaj, qendra tregtare, të gjitha eventet publike janë anuluar. Një situatë e paparë për Belgjikën, një situatë të jashtëzakonshme e diktuar nga serioziteti i situatës.

(Panorama/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: