MILANO
Policia shqiptare informoi sot se ka arrestuar Bledar Ibrahimin, 28 vjeç, person i shpallur në kërkim ndërkombëtar, i cili kërkohet nga drejtësia italiane nën dyshimin e përfshirjes në akte terroriste.
Në lidhje me arrestimin e Ibrahimit në Shqipëri, kanë shkruar mediat më të rëndësishme italiane si “Rainews.it”, “Il giornale” etj. Sipas raportimit të mediave të vendit fqinj, Ibrahimi ishte një person që kërkohej prej autoriteteve në Itali për përfshirje në terrorizëm.
Në vitin 2016, në shtëpinë e tij në Pozzo d’Adda, në brendësi të Milanos, ishin gjetur pajisje kompjuterike, biseda me militantë islamikë dhe dokumente e video që propagandonin sulmet e ISIS.
Ndërkaq, sipas raportimit të mediave italiane, për këtë rast është deklaruar edhe Salvini, ministër i Brendshëm. Mateo Salvini shprehet se falë këmbënguljes së autoriteteve italiane dhe bashkëpunimit me policinë shqiptare në Tiranë, u bë e mundur të arrestohet një “fondamentalist” në Shqipëri.
(d.xh/ Balkanweb)