SERBI- Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç, në mars do të merr pjesë në takimin e ministrave të rajonit në Prishtinë, ku mikpritës është Hashim Thaçi, zv/kryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme të Kosovës.
Sipas gazetës serbe “Novosti”, autoritetet serbe kërkojnë që takimi të jetë neutral ndaj statusit, respektivisht që në të, si dhe në konferencën që më pas do të mbahet në Beograd, mos të ketë simbole shtetërore.
“Do të shkojë në Prishtinë, por kusht mbetet që takimi të mbahet sipas të ashtuquajturit formatit gimish, pa flamuj dhe vetëm emrat e pjesëmarrësve. Për këtë do të kërkojmë edhe garanci nga Brukseli, si mediator i takimit. Serbia është e përcaktuar që të bisedojë me Prishtinën për të gjitha temat e hapura, mirëpo të gjitha këto takim duhet të jenë neutrale ndaj statusit”, ka thënë Daçiç, transmeton Indeksonline.
Petrit Selimi, zëvendës i Hashim Thaçit, ka paralajmëruar takim të ri të ministrave të Punëve të Jashtme të rajonit për në muajin mars në Prishtinë.
Ftesë për pjesëmarrje do të marrin Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, Bosnja dhe Maqedonia, ndërsa mysafir special do të jetë komisioneri për Zgjerim i BE-së, Jonahes Hanh.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: