Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka paralajmëruar se vendi i tij dhe Kosova “do të bashkohen në mënyrën klasike” në qoftë se Bashkimi Evropian nuk hap rrugë për integrimin evropian të Kosovës dhe liberalizimin e vizave, shkruajnë sot mediat serbe.

Sipas tyre, në një intervistë televizive së bashku me zv.kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, Rama ka thënë se bashkimi i Kosovës dhe Shqipërisë i ka dy mundësi dhe kjo varet prej BE-së, transmeton Telegrafi.

“I pari është bashkimi në Unionin Evropian, megjithatë nëse BE-ja vazhdon të mbyllë dyert për integrimin e Kosovës, atëherë të dy vendet do të jenë të detyruara të bashkohen në mënyrë klasike”, citohet të ketë thënë kryeministri shqiptar.

Mediat serbe gjithashtu shtojnë se “Rama tha se të dy vendet janë të angazhuara për bashkim përmes anëtarësimit në Bashkimin Evropian”.

Ndërkaq, lidhur me këtë, ato kanë cituar edhe deklaratën e zv. Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi.

“Thaçi ka thënë se fjalët e Ramës nuk janë kërcënim për BE-në, veçse bëhet fjalë për realitetit që mund të arrihet në të ardhmen dhe i cili mund të jetë rezultat i izolimit të Kosovës nga ana e BE-së”.

Ato gjithashtu kanë përmendur edhe deklaratën e kryeministrit shqiptar kur ka thënë se është një turp i BE-së mos liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës, të cilët janë të vetmit në rajon që nuk e gëzojnë këtë lehtësim.

“Thaçi ka treguar se Kosova tanimë ka përmbushur obligimet që kanë të bëjnë me liberalizimin e vizave”, përfundojnë mediat serbe.

Ndërkohë Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç e cilëson si provokim deklaratën e Ramës dhe Thaçit se Shqipëria dhe Kosova do të bashkohen nën qiellin e BE-së ose “në mënyrën klasike” të bashkimit të dy vendeve.

“Unë premtoj se Kosova dhe Shqipëria, siç thotë kryeministri Rama, në një mënyrë klasike kurrë nuk do të bashkohen! Ju lutem liderëve shqiptarë të ndalin provokimet që çojnë në destabilizim të mëtejshëm në rajon!” ,shkroi Vucic në faqen e tij në Twitter.

RAMA: BASHKIMI ËSHTË I PA SHMANGSHËM DHE I PA DISKUTUESHËM

Kryeministri Rama në një intervistë për gazetarin Baton Haxhiu, paralajmëroi se nëse dy vendet nuk do të integrohen në BE, ata do të bashkohën sipas mënyrës klasike.
“Unë besoj që ka dy mënyra për ta kuptuar këtë. Njëra mënyrë eshtë mënyra tradicionale e bashkimit kombëtar, me ato hartat e vizioneve nacionaliste dhe romantike të fundit të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX, dhe mënyra tjetër është që të shfrytëzojmë të gjitha mundësitë që na jep sot paqja, për t’i bashkuar realisht shqiptarët në ndërveprimet e tyre, që në nivelin individual deri në nivelin më të lartë shtetëror, nga ekonomia në arsim, nga energjia në turizëm, nga bujqesia në tregti, në infrastrukturë e kështu me radhë. Dhe për ta kthyer kufirin në një konvencion që nuk na pengon të përjetojmë një hapësirë të përbashkët, si një hapësirë unike dhe poashtu për ta avancuar procesin e integrimit në një formë të tillë që gjithë shqiptarët në rajon të jenë pjesë e BE-së dhe si të tillë të ndihen më të mbrojtur, të ndihen më të sigurtë dhe të ndihen dinjitozë, në mënyrë të barabartë…
…Besoj që duhet thënë edhe dicka tjetër, që bashkimi ynë, dhe nese duam ta themi edhe më shkoqur, bashkimi i shqiptarëvë te Shqipërisë dhe Kosovës, pasi këta në fakt janë shqiptarët që jetojnë në dy shtete shqiptare dhe nuk flasim për tjerët, që janë në shtetet tjera është i pashmangshëm dhe i pa diskutueshëm. Pyetja është si do të ndodhë, a do ndodhë në funksion të Bashkimit Evropian, si një proces i natyrshëm dhe krejt i mirëkuptuar nga të gjithë, apo do të ndodhë si një ragim ndaj një verbërie apo një pertacie europiane, për të kuptuar që vetë Evropa duhet të ndryshojë qasje ndaj vetvetes, duke u kthyer nga një fuqi, që gjithmonë e më shumë është e varur nga taktika e ditës, në një fuqi strategjike. Një Evropë strategjike do të kërkonte që Ballkani të ishte njohur më parë si pjesë e saj, dhe që normalisht, pastaj, të gjitha etnitë në Ballkan të kishin lehtësi në të qenit së bashku, pa pasur nevojë që tmerreshin me kufitë ndërkohë që një Europë verbërisht taktike dhe në vijim do të bënte që të triumfonte me patjeter dhe pa asnjë mundësi të dytë linja e një bashkimi përsëri në funksion të një Europe të ardhme, por në radhë të parë të një funksion në ditët e sotme ku shqiptarët nuk do ta pranon për një kohë të gjatë këtë historinë tërhiqe mos e kput te Europës dhe ktë qasjen tërhiqe mos e kput me njëri – tjetrin .

(m.k/a.n/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb