Nga: ENIDA HIMAJ*

Mediat serbe ditët e fundit kanë publikuar një artikull ku akuzojnë Kosovën si vendi tranzit nga ku kalon droga për në Evropën Perëndimore. Sipas shkrimit, e gjitha kjo është një projekt i Amerikës për Kosovën. Kjo teori e ka zanafillën në Rusi. Më herët dhe zyrtar të lartë të këtij shteti kanë shprehur të njëjtën gjë. Sipas tyre, Uashingtoni ka zgjedhur Kosovën si vendin ideal për të kaluar më pas drogën në Evropë. Kjo është dhe arsyeja që shteti fqinj, Kosova, ka dhe mbështetjen e Ame-rikës. Është një teori që del gjithmonë në sipërfaqe në Serbi dhe në Rusi. Sipas disa teorive konspirative, Kosova është një projekt i madh amerikan për transportin e drogës në Europë. Kjo teori ka ridalë në mediat serbe dhe është publikuar nga shumë media kosovare. Vetëm se mediat kosovare e kanë trajtuar këtë shkrim me nota ironie, madje edhe duke akuzuar mediat serbe për një shkrim që nuk ka asnjë bazë. “Serbët dhe rusët gjithnjë e gjejnë nga një teori që t’u shkojë atyre për shtat lidhur me Kosovën dhe ajo më fundit në Serbi është se Kosova e pavarur është projekt amerikan për drogë dhe mafia”, shkruan një portal online në Kosovë, lidhur me artikullin e fundit të publikuar në disa media prestigjioze në Serbi. Edhe gazetat e përditshme kosovare e kanë pasqyruar këtë lajm, duke u shprehur se kjo akuzë bëhet për të dobësuar figurën e Kosovës në arenën ndërkombëtare si dhe për t’u dhënë një ngjyrim negativ marrëdhënieve të shkëlqyera që Kosova ka me partnerin strategjik, Amerikën. Sipas këtij spekulimi rus, pjesa kryesore e heroinës afgane (mbi 70%) shkon në Europë përmes Kosovës, më saktësisht përmes grupimeve mafioze shqiptare. Nga ana tjetër, shteti aleat me Serbinë, Rusia, ka shprehur të njëjtën gjë. Nëpërmjet një drejtuesi të lartë të shërbimeve sekrete, shteti rus ka dhënë dhe shifra. Sipas drejtorit të Shërbimit Sekret të Federatës Ruse, Viktor Ivanov, në territorin e Kosovës janë rreth 15 kartele të mëdha të drogës. Sipas tij, ato ofrojnë heroinën afgane dhe kokainën e Amerikës Latine tranzit për në Europë. Aty thuhet se një kilogramë heroinë në Taxhikistan dhe Afganistan kushton 1000 deri në 2000 dollarë, në Kosovë 10 mijë euro, ndërsa në Europën Perëndimore çmimi i saj shkon deri në 150 mijë euro. Ky konspiracion vazhdon më tutje duke cituar profesorin Peder Dale Scott, një ish-diplomat kanadez, i cili thotë se: “Burimi kryesor i problemeve në botë në lidhje me narkotikët nuk është në Kabul, por në Uashington DC”. Trafikantët e drogës në Kosovë, sipas këtij shkrimi, arrijnë të fitojnë shuma të mëdha parash, ku llogaritet se brenda një viti arrijnë të gjenerojnë rreth 3 miliardë dollarë amerikanë. Deri më tani nga Uashingtoni zyrtar nuk ka pasur asnjë reagim ndaj akuzave që janë bërë si nga zyrtari rus, sikurse dhe nga mediat serbe.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: